E Shtunë, 31 Tetor 2026

PERGJEGJSHMERIA QYTETARE DHE PERGJEGJSHMERIA POLITIKE

Demonstrata masive e 20 nëntorit në Tiranë, ndoshta do të kujtohet gjatë e jo vetëm për edukatën qytetare që treguan pjesëmarrësit e shumtë. Demonstrata qytetare e 20 nëntorit të këtij viti, ndoshta do të kujtohet gjatë si dëshmia e parë historike e lindjes së përgjegjshmërisë qytetare edhe në këtë vend të lodhur nga diktaturat e nga hija e hidhur e "komandantëve legjendarë", që nuk kanë komanduar dot as ato që thonë në publik e jo më ato që bëjnë në kurriz të publikut.
Demonstrata e madhe e 20 nëntorit 2009 ndoshta është hapi i parë që hedhim për të kuptuar se demokracinë nuk duhet ta presim si dhuratë nga të tjerët. Një hap i madh që hedhim si popull në këtë shekull të ri, për të kuptuar se të drejtat tona si qytetarë të lirë duhet t‘i fitojmë me qëndrime prej qytetari, që atë liri e meriton. Sado me vonesë e për ato arsye që dihen nga të gjithë, ai lumë i madh qytetarësh që nuk preku asnjë gjethe në tri ditë demonstrimi popullor, dëshmoi faqe të gjithë Europës dhe botës se lindi përgjegjshmëria qytetare edhe në Shqipërinë e katrahurave të ushqyera nga zullumet e pushtetarëve. Vërtet një lajm që besoj se duhet të na gëzojë të gjithëve, përfshirë dhe pushtetarët e trembur apo edhe miqtë e tyre personalë në institucionet ndërkombëtare.
Ai lajm i mirë na gëzon, sepse dëshmon që Shqipëria pas asaj demonstrate të qytetëruar, nuk është më ajo Shqipëria e trembur, e uritur dhe e sëmurë e viteve të gjata të diktaturës komuniste. Nuk është më as ajo Shqipëria që, e lodhur nga diktatura e gjatë, mbushte sheshet për të dëgjuar të deleguarit e rinj të diktaturës. Ata që diktatura në rrëzim e sipër i veshi me aq ngutje me ato kapardinat e murrme të depove të Sigurimit të Shtetit dhe populli i shkretë i ndiqte pas si çlirimtarë... Nuk është më në fund as ajo Shqipëria, që pushtetarët e zhytnin në kaos sa herë që nuk dëgjonin të këmbeheshin pa dhunë në karriget e pushtetit të trashëguar nga diktatura.
Është vërtet një lajm i mirë e i madh zhvillimi aq dinjitoz i demonstratës së parë popullore edhe në Tiranën tonë - tradicionalisht shtëpi pushimi për tiranë. Është një lajm i madh lindja e përgjegjshmërisë qytetare dhe te ne, pasi ajo demonstratë popullore aq e qytetëruar nuk u bë për të mbështetur një "komandant" kundër një tjetri, as për të mbështetur një "tufëz" politike të këtij tranzicionit tonë të mbikëqyrur në çdo hap nga "Partia Mëmë" kundër një "tufëze" tjetër politike, por për të drejtën e të drejtave që qëndron në themel të demokracisë - për të drejtën e votës së lirë dhe për paprekshmërinë e saj. Ajo demonstratë u zhvillua për t‘u kujtuar pushtetarëve tanë se ka ardhur koha që dhe te ne të hiqet dorë nga vjedhja e zgjedhjeve për hir të pushtetit dhe të bëhen dhe te ne zgjedhje të lira e të ndershme për të garantuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve me shtetin e së drejtës.
Thonë se papërgjegjshmëria qytetare lind regjimet, kurse papërgjegjshmëria politike lind kaosin dhe rrënimin. Nuk mund të mos e kujtosh këtë, kur sheh se si reagojnë pushtetarët tanë të trembur nga lindja e përgjegjshmërisë qytetare. Në vend që ta përshëndetin me gëzim këtë zgjim të ndërgjegjes qytetare të popullit të tyre, pushtetarët tanë e humbasin fillin aq shumë, sa kërcënojnë qytetarët pse u zgjuan nga një letargji e gjatë. I kërcënojnë qytetarët pse u zgjuan nga ajo lloj anabioze e detyruar, që ka shërbyer gjithmonë si shtrat i butë për regjime shtypëse e për diktatura gjakatare. E humbasin ekuilibrin pushtetarët tanë aq keq, sa kthehen befas, nga të punësuar në politikë si besnikë të diktaturës, në dhëmbëshkulës fshati(!)...
Kur populli nuk qe kujtuar ende për përgjegjshmërinë qytetare si themel të demokracisë e të vetë lirisë dhe u lutej pushtetarëve tanë me përgjërimin e asaj aktivistes së vjetër: "Vetëm ju mos na u grindni me njëri-tjetrin, pa le të na lini dhe pa bukë dhe pa ujë!", pushtetarët tanë të tranzicionit gajaseshin dhe bënin pazaret e radhës për të ndarë në hijen e zyrave të shtetit pronat publike dhe pronat e pronarëve të pushkatuar nga diktatura.
Kur populli nuk qe kujtuar ende për përgjegjësinë qytetare si themel të një shoqërie të lirë, bejlurçinat e pushtetit të tranzicionit luanin loja "luftash" me njëri-tjetrin, duke e ndarë popullin në turma tifozësh të njërës apo të tjetrës palë, të gatshëm për t‘u përleshur vetëm për të ruajtur pushtetin e trastave të "komandantëve" të radhës. Dhe populli i shkretë merrte plagët në vend të pushtetarëve që luanin "bajlozët" kuq e blu, të pushtetarëve tanë të paskrupullt, që sot e quajnë njëri-tjetrin "Padrino të Mafies" e nesër "një Faktor Politik i rëndësishëm". Me popullin e pakujtuar ende për përgjegjësinë qytetare, pushtetarët tanë në lojën e paturpshme të "bajlozëve" kuq e blu, sot i quajnë kundërshtarët "Opozitarë por vëllezër" e nesër "një bandë punisto-mafioze", kurse me njëri-tjetrin prapë gajasen e numërojnë milionat e vjedhura nga pasuria publike dhe nga pasuria e të pushkatuarve të diktaturës.
Sepse papërgjegjshmëria politike e pushtetarëve tanë është ulëritëse edhe sot e kësaj dite. Sepse papërgjegjshmëria politike e pushtetarëve tanë është mbështetur gjithmonë në papërgjegjshmërinë e vetë qytetarëve e prandaj dhe e humbasin aq keq ekuilibrin pushtetarët tanë të tranzicionit, sa të kërcënojnë se do t‘i kthejnë dhe zyrat e pushtetit në klinika dentare... E humbasin ekuilibrin aq shumë pushtetarët tanë tani që po lind përgjegjshmëria qytetare, sa befas kthehen nga pushtetarë të kësaj demokracisë sonë të klonuar prej xherahëve të regjimit të shkuar, në xhahilët e diktaturës dhe kërcënojnë qytetarët e tyre me gjuhën e sekretarëve të Parë të Partisë së Punës (!)...
Që sanitarët e Partisë së Punës të tërbohen nga lindja e përgjegjshmërisë qytetare, që pa Tirana dhe Shqipëria në demonstratën madhështore të 20 nëntorit 2009, nuk ka asgjë për t‘u habitur. Për t‘u habitur është shkalla e papërgjegjshmërisë politike që kanë pushtetarët tanë të trazicionit edhe tani që populli i thjeshtë po zgjohet nga përgjegjshmëria qytetare e fituar me aq mundime.
Kjo përgjegjshmëri qytetare po fitohet dhe nga populli i thjeshtë i këtij vendi, pas tërë atyre zhgënjimeve të hidhura. Zhgënjime e mundime që nisin herët në shekullin e çartur që kemi lënë prapa. Në shekullin e përgjakur që lodhi me zhgënjime e me mundime edhe popuj më të shumtë e më të fuqishëm se shqiptarët. Në shekullin e terrorizmit shtetëror të mbështetur në teoritë e urrejtjes, të klasave misionare e të racave superiore, në teoritë që sollën gjëmat më të rënda në historinë e njerëzimit. Në teoritë e përbindshme të kampeve të vdekjes në krematoriume e në gulagët e luftës së klasave, nga Siberia në Vlashuk e nga Ljubljanka në Burrel.
Lindja e kësaj përgjegjshmërie qytetare edhe në këtë truallin tonë parajsë pushtetarësh, doemos që nuk është në dobi të pushteteve e të regjimeve, por në të mirë të jetësimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, që janë teoria e mirëfilltë e sistemit të demokracisë liberale dhe që jetësohen e mbrohen nga shteti i së drejtës. Shteti i së drejtës, që pushtetarët tanë të tranzicionit aq rreptë të mbikëqyrur nga hijet e diktaturës së djeshme, as e njohin dhe as e pranojnë dot. As e njohin e as e pranojnë dot shtetin e së drejtës sovjetikët tanë të kthyer brenda natës në demokratikas, sepse janë rritur me etjen për të hedhur në dorë darët e pushtetit të pakufizuar. Nuk e njohin dot artin e qeverisjes në demokraci pushtetarët tanë të tranzicionit, sepse janë rritur me etjen për të sunduar. Sepse tani që nuk betohen dot "Për idealin e Partisë!", janë lëshuar si hienat mbi trupin e Atdheut për t‘u bërë pronarët e rinj me pronat e pronarëve të pushkatuar dhe me pronat publike dhe nuk betohen më për Partinë, por për Paranë. Tani edhe partiçkat e trashëguara si besnikë të diktaturës i kanë kthyer në sh.p.k. private për të shtuar Paranë. Sepse me para po blejnë votat për të mbajtur pushtetin, me para po blejnë median për të mbajtur pushtetin, me para po blejnë dhe miq personalë në institucionet ndërkombëtare për të marrë e për të mbajtur me çdo kusht e me çdo çmim pushtetin. Kush nuk është çuditur kur vijnë dhe miq të pushtetit nga institucionet ndërkombëtare dhe, në vend të asnjanësit na bëjnë tifozin e thekur të pushtetit, thua se jemi keq për tifozë të pushtetit(!) Kush nuk mbetet pa gojë kur sheh që edhe ca të dërguar të institucioneve ndërkombëtare, në vend të asnjanësit, na imitojnë arbitrit tanë të futbollit kur arbitrojnë ndeshjet që zhvillohen në Peqin e në Laç apo në Librazhd e në Delvinë?...
Duket që dhe miqtë e huaj të pushtetarëve tanë e kalojnë më mirë në Tiranë, kur harrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe mbajnë mend vetëm dëshirat e sëmura të pushtetit. Ndoshta dhe ata të huaj mendojnë se shqiptarët i kanë të tepërta të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ndoshta mendojnë vërtet se shqiptarët nuk bëjnë dot pa "komandantë" e pa darët e forta të pushtetit, paçka se pushteti ngrihet mbi zullume - qysh nga votat e vjedhura e deri te pronat e rrëmbyera. Tek e fundit, pse të bëhen aq merak të huajt për të drejtat tona, kur vetë ne pranojmë për dekada të tëra t‘i kërkojmë dhe të drejtat qytetare vetëm duke u ndarë në tifozë të fantaksur të "bajlozëve" pushtetarë?...
Të huajt nuk kanë pse u shtojnë një dorë halleve tona, qofshin ata edhe miq të pushtetit, kur ne vetë i lejojmë pushtetarët të na mashtrojnë edhe për ujë, duke na premtuar në çdo fushatë zgjedhore se do ta kemi në shtëpitë tona 24 orë dhe pastaj duhet ta presim për fushatën tjetër. A nuk premtuan të parët e pushtetarëve të sotëm vetëm në Kongresin e tyre të nëntë se atë pesëvjeçar do ta sillnin ujin në shtëpitë tona 24 orë? Pse i besojmë trashëgimtarët e tyre besnikë, kur na thonë në çdo fushatë zgjedhore po të njëjtën gënjeshtër? Ky nuk është faji i të huajve.
Thonë se kur më gënjen një herë, e ke fajin zotrote, por kur më gënjen herën e dytë, e kam fajin vetë. Kjo është po aq e vërtetë, sa është e vërtetë edhe që punët tona na venë më mbrapsht nga sa durohet, sepse duket që na pëlqen të na gënjejnë, sidomos kur na gënjejnë pushtetarët. Me sa duket këto punët tona nuk ecin si duhet, sepse sikur kemi kohë që i kemi mbrehur kuajt pas karrocës...
Demonstrata e madhe qytetare e 20 nëntorit 2009 do përshëndetur gjatë, sepse nuk u zhvillua për hir të ndonjë "komandanti", apo të ndonjë pale politike të mbetur pa pjesë pushteti, por për të drejtën e të drejtave - të drejtën e votës dhe të mbrojtjes së saj me ligj. Pikërisht kjo e bën atë ngjarje aq të gëzuar, sado që na prishi gjumin e pushtetarëve. Sepse atë ditë të uruar lindi dhe te ne përgjegjshmëria qytetare, që duket se do t‘i japë fund ndeshjes absurde të tifozëve të politikës dhe asaj lojës banale të bajlozëve tanë të pushtetit. Që më në fund edhe te ne të marrë fund vjedhja e zgjedhjeve nga xhambazët e pushtetit dhe të lindë dhe te ne përgjegjshmëria e politikës si shërbim qytetar në dobi të fuqizimit të shtetit të së drejtës. Të hapet më në fund dhe te ne era e politikës dinjitoze, që ka në themele ndeshjen e alternativave dhe dialogun për të gjetur zgjidhjet më të mira në dobi të përparimit të vendit e të përmirësimit të përhershëm të jetës së qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›