E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukime edhe në eliminatoret e Botërorit 2010?

Po përjetojmë skandalin më të madh të basteve në futboll. Nga të gjitha anët vijnë informacione gjithnjë edhe më shokuese për publikun. Champions League, Europa League dhe kampionatet kombëtare tashmë janë prekur. Tani njoftohet se ka pasur plane për manipulimin e një ndeshjeje të eliminatoreve të Botërorit 2010! Bëhet fjalë për ndeshjen mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Turqisë (9 nëntor 2009). Për të dyja skuadrat ishte një ndeshje tejet e rëndësishme. Të dy kombëtaret kishin nevojë për fitoren: Bëhej fjalë për kualifikimin për në ndeshjen "play off" drejt Botërore 2010 në Afrikën e Jugut! Në fushë në këtë ndeshje zbritën mes të tjerësh, në radhët e Bosnjë-Hercegovinës, lojtarët e Bundesligës: Zvjezdan Misimoviç, Edin Xheko (të dy lojtarë të Volfsburgut), Vedad Ibiseviç, Sejad Salihoviç (të dy të Hofenhajm), si edhe në radhët e Turqisë, Hamit Altintop (Bajernit të Mynihut). Kjo përballje mes tyre përfundoi në barazim 1-1. Por sipas informacioneve të publikuara nga televizioni "Spiegel TV", duhet të përfundonte me një tjetër rezultat. Këto informacione janë zbuluar nga dosja hetimore e zyrës së prokurorit të Bokumit, por që pritet të publikohen në ditët e ardhshme. Gjithçka ka dalë pas përgjimit të disa telefonave, ku thuhet se është folur për mënyrën e si duhej të manipulohej ndeshja. Arsyeja si apo pse nuk u ekzekutua plani, mbetet ende e paqartësuar. FIFA nuk pranoi të komentonte në përgjithësi mbi kërkesën e "Spiegel online" për skandalin e basteve. Por duket se skandali i basteve nuk ka ndërmend të përfundojë. Çdo ditë flitet për ndeshje të trukuara në ligat inferiore gjermane. Ndërkohë që skandali zgjerohet akoma edhe më shumë me fakte të reja. Sipas mediave gjermane, manipulimi i ndeshjeve nuk funksiononte vetëm nëpërmjet presidentëve, lojtarëve, trajnerëve apo gjyqtarëve. Mafia e basteve është përpjekur t‘i helmojë lojtarët nëpërmjet mjekëve apo kuzhinierëve të hoteleve luksoze, për të arritur rezultatet e dëshiruara. "Sipas rezultateve të hetimeve të prokurorisë së Bokumit, ka pasur përpjekje për ta detyruar një mjek të një skuadre sllovene me anë të ilaçeve helmuese, që të çorodisë lojtarët". Kështu që metodat e mafies së basteve për të arritur rezultatet e dëshiruara, nuk kanë kufij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›