E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ligji organik në bazë të Kushtetutës

03/08/2010 Institucioni i Presidentit sërish objekt i debatit politik

“Ligji sduhet të shfrytëzohet për të cenuar kompetencat e kreut të shtetit”

Institucioni i Presidentit vijon të jetë në qendër të debatit politik, por së fundi i përqendruar te mënyra e funksionimit të tij. Është pikërisht hartimi dhe zbatimi i një ligji organik për një institucion të tillë që vijoi të ishte prezent edhe gjatë ditës së djeshme në zhvillimet politike. Në këtë mënyrë, pas deklaratave të ardhura nga PD-ja dhe LSI-ja për një çështje të tillë, dje ishte dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta ai që kërkoi hartimin e ligjit organik. Por sipas tij çdo ligj duhet të respektojë kornizën kushtetuese. Njëkohësisht ministri i Jashtëm, njëherësh kreu i LSI-së, i mëshoi me forcë faktit se partia e drejtuar prej tij nuk do të jetë palë e debatit mes kampit blu dhe kreut të shtetit lidhur me Gjykatën Kushtetuese.

Propozimi

Kreu i diplomacisë shqiptare Ilir Meta u deklarua dje në favor të një ligji për Presidentin, i cili nuk duhet ti mos i cenojë kreut të shtetit kompetencat kushtetuese. “Çdo institucion kushtetues duhet të ketë ligjin përkatës organik, dhe ky ligj duhet bërë në frymë bashkëpunimi. Së dyti, çdo ligj organik duhet të synojë në respektimin e Kushtetutës dhe të kompetencave kushtetuese të çdo institucioni”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme Meta. Në vlerësimin e zëvendëskryeministrit nuk mund të hartohet, aq më pak të miratohet një ligj organik për të cenuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër.

Qëndrimi

Deklarata e ministrit Meta, njëkohësisht kryetar i LSI-së, lidhte mes tyre dy momente të debatit të ashpër mes Presidencës dhe kampit blu. Moszgjedhja nga ana e kreut të shtetit të kandidaturës për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese shënon njërën anë të debatit dhe së fundi propozimi për hartimin e ligjit organik për këtë institucion përbën kahun tjetër të tij. Por në gjykimin e ministrit Meta ligji organik nuk duhet të shfrytëzohet për të cenuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër. “LSI-ja ka një qëndrim të qartë se në marrëdhëniet mes institucioneve duhet bashkëpunim dhe jo konflikt. LSI-ja nuk do të bëhet palë me askënd dhe i askujt, por kërkon vetëm të respektohen institucionet”, - vuri në dukje Meta gjatë bashkëbisedimit të tij me gazetarët. Ndërkohë, për argumentuar më tej qëndrimin e partisë së tij lidhur me këtë debat, zëvendëskryeministri Meta vlerësoi se “në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të ndryshme duhet të prevalojë fryma e bashkëpunimit dhe respektit reciprok dhe jo ajo e konfliktit. Besoj se ekzistojnë të gjitha instrumentet për të verifikuar kushtetutshmërinë e çdo veprimi apo mosveprimi”.

Kërkesa

Partia Demokratike si dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkuan miratimin e një ligji organik për Presidencën, i cili do të mundësonte që veprimet e kreut të shtetit të përcaktohen me afate ligjore. Aktualisht, Presidenca nuk ka një ligj organik si gjithë institucionet e tjera Kushtetuese, ndërsa për maxhorancën qeverisëse është koha për miratimin e një ligji të tillë. Sipas saj fryma e Kushtetutës kërkon që Presidenca të ketë një ligj organik ku të përcaktohen qartë afatet e punës së Presidentit në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese.

Deklarata e PS-së

Ahmetaj: 100 mijë vende të humbura nga pushteti PD-LSI

Niveli i lartë i papunësisë në vend solli dje një deklaratë të ashpër të selisë rozë në adresë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për integrim. Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij mbi këtë çështje u shpreh se “pushteti PD-LSI, pavarësisht se kishte premtuar krijimin e vendeve të reja të punës, sot është shkaktar për humbjen e më shumë se njëqind mijë vende pune në pak muaj”. Sipas tij, Berisha mburret me rritjen e eksporteve, por sektori i fasonëve, sot ka dhënë sinjalin e alarmit dhe kërkon ndihmën e qeverisë.

“11 mijë veta janë pushuar nga puna në ndërmarrjet me fason për shkak të krizës ekonomike. Në bujqësi, në muajt e fundit të 2009 janë humbur 73 mijë vende pune. Ndërkohë që Berisha mburret me investime fantazmë në bujqësi, nga vetë shifrat del se qeveria investon në bujqësi vetëm 1 euro e gjysmë në muaj për çdo të punësuar në këtë sektor”, - vuri në dukje Ahmetaj gjatë deklaratës së tij lidhur me këtë çështje. Gjithashtu, duke shtuar më tej tonet kritike, deputeti socialist shtoi se “INSTAT-i dhe pushteti deklarojnë rritje duke krahasuar dy vjet krize me njëri-tjetrin. Kjo për të mbuluar me një gënjeshtër të pacipë krizën e gjithanshme. Shqiptarët sot kuptojnë qartë që arsyeja kryesore e varfërisë së tyre dhe shkatërrimit ekonomik është korrupsioni i qeverisë Berisha-Meta”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›