E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet dëmtimi serioz i pasurisë arkeologjike e historike

03/08/2010 Instituti i Monumenteve ndërpret punimet në sheshin e Durrësit

Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Inspektorati Kombëtar i Urbanistikës kanë bllokuar ecurinë e punimeve në projektin e rivitalizimit të sheshit “Liria” në qendër të Durrësit. Shkak për këtë vendim janë bërë dyshimet e specialistëve lidhur me tendencën e ruajtjes së pasurisë arkeologjike të qytetit. Bashkia e Durrësit ka bërë të ditur zyrtarisht se Instituti i Monumenteve ka ndërmarrë ndërprerjen e punimeve, kurse Inspektorati i Urbanistikës ka nisur të kryejë verifikimin e dokumentacionit të projektit. Në shtator të vitit 2008 bashkia në saje të një konkursi ndërkombëtar fitoi të drejtën e bërjes së rivitalizimit të sheshit “Liria” në qendër të qytetit, projekt që do të rehabilitojë sheshin nga ish-porta e hershme e qytetit ngjitur me murin biznatin te godina e bashkisë deri te pallati i kulturës. Specialistët nga Tirana kanë bërë të njëjtin veprim bllokues të punimeve edhe në rikonstruksionin që ka ndërmarrë bashkia te busti i Azem Hajdarit pranë ish-lulishte “1 Maji”. Edhe në këtë rast specialistë druhen se punimet kanë shkuar deri në gërmimin e pjesës arkeologjike të zonës. Por bashkia ka bërë të qartë se po kryen punime dhe sistemime e jo gërmime, duke sqaruar se në të dyja rastet nuk bëhet fjalë për të cenuar pasurinë arkeologjike. Në maj të këtij viti bashkia përmes KRRT-së ka dhënë leje ndërtimi dhe leje sheshi ndërtimi, duke i hapur rrugë projektit të madh për rivitalizimin e sheshit qendror të qytetit. Ky proces do të kryhet në 3 faza dhe së bashku do të kushtojë 1 milion dollarë. Pjesa e projektit te bashkia parashikon gërryerjen e një pjese të dherave nën xhami, ngjitur me murin bizantin të qytetit, që gjendet paralel me Amfiteatrin. Zona në fjalë është e gjithë në vëmendje të studiuesve dhe arkeologëve vendës e të huaj dhe ky fakt ka ndikuar edhe më tej në ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve të mësipërme për të pezulluar përkohësisht punimet deri në marrjen e një informacioni të plotë e të saktë. Në departamentin e urbanistikës në bashki është thënë se nuk bëhet fjalë për gërmime, pasi si të tillë mund të klasifikohet procesi që gërmon deri në 2.5 m thellësi. Por Instituti i Monumenteve të Kulturës ka vendosur nën shirit të gjithë hapësirën e pretenduar për të shtrirë zbatimin e fazës së parë. Bashkia si fillim ka menduar të ndërhyjë në një sipërfaqe prej 3100 m2 në rikualifikimin e kodrës për të bërë një shkallare dhe tarracën apo ballkonin poshtë kodrës. Por punimet kanë nisur pikërisht te këmbët e murit biznatin dhe do të zgjerohen në ish-portën e madhe të qytetit, e cila ndante zonën urbane nga ajo joqytetëse disa shekuj më parë. Për ruajtjen e pasurisë arkeologjike në Durrës janë të interesuar edhe arkeologë të huaj. Prej disa vjetësh Amfiteatri është bërë objekt i gërmimeve nga studentë e pedagogë të njohur të Universitetit të Parmës dhe studentë të arkeologjisë në Shqipëri. Bashkia nuk ka thënë se sa kohë punimet do të qëndrojnë pezull, ndërkohë që projekti qe parashikuar të mbyllej për 150 ditë. Instituti i Monumenteve të Kulturës është detyruar të bëjë të njëjtin veprim edhe në disa raste të tjera, ngase gjatë gërmimit për ndërtimin e objekteve disakatëshe kanë dalë në sipërfaqe rrënoja të një pasurie të madhe arkeologjike. Por në jo pak raste subjektet zbatuese të projektit nuk vënë në dijeni autoritetet e studimeve arkeologjike lidhur me ndeshjen në elementë të qytetërimit të hershëm. Disa herë në stokun e plehrave e inerteve në vendgrumbullimin e plehrave janë gjetur pjesë të vlefshme të skulpturave të dëmtuara në vendet e gërmimeve për pallate e lokale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›