E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhet e Durrësit paraqesin nivel të lartë ndotjeje

03/08/2010 Raporti, alarmante frekuentimi i plazhit të Currilave Zhironit, zona pranë shkëmbit të Kavajës etj...

Ndonëse është pohuar marrja e masave të shumta për sigurimin e një sezoni turistik të pastër, kjo gjë nuk është arritur, veçanërisht për plazhet që kanë frekuentimin më të lartë. Sipas të dhënave të publikuara në raportin e dërguar pranë Ministrisë së Mjedisit nga ekspertët e shëndetit publik, rezulton se edhe për këtë sezon situata më problematike paraqitet në qytetin e Durrësit, plazhet e të cilit kanë nivel të lartë ndotjeje, duke i bërë shumicën e tyre të pafrekuentuara. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, në disa zona është këshilluar që të mos bëhet frekuentimi i tyre, duke qenë se analizat e kryera kanë dëshmuar prezencën e një ngarkese të lartë mikrobiologjike në ujë. Frekuentimi i këtyre zonave mund të bëhet shkak për shfaqjen e komplikacioneve të shumta shëndetësore. Kjo situatë ka rezultuar e njëjtë pothuajse në të tria seritë e monitorimeve të kryera deri në mbyllje të muajit që lamë pas. Sipas raportit, faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare janë shkarkimet e ujërave të zeza në det si dhe shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara, të cilat derdhen direkt apo indirekt në det.

Situata

Konkretisht ndër zonat më të rriskuara paraqiten plazhi i pranë Currilave. Probleme të shumta janë vënë re edhe në plazhin e Zhironit, te bërryli, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, te Plepat. Përveç zonave të përmendura më sipër problematike ka rezultuar edhe plazhi në Golem, frekuentimi i të cilit çdo vit është paraqitur në shifra të larta. Në raportin e hartuar pohohet se plazhi i Plepave është i ndotur përtej parametrave të konfirmuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë apo dhe ato të komunitetit evropian. Shkak për këtë është bërë gjetja e ngarkesës së lartë bakteriologjike, ndërkohë që në gjendje shqetësuese ka rezultuar të jetë edhe mjedisi i plazhit, pasi në mes të rërës funksionojnë kanalet e ujërave të zeza apo pellgjet ku mblidhen ujërat urbane, ekspozimi i të cilave shkakton një erë të rëndë.

Po ashtu probleme të shumta janë vënë re edhe ne qytetin e Vlorës. Për këtë të fundit analizat kanë treguar se situata paraqitet problematike në plazhin e vjetër të këtij qyteti, i cili pothuajse çdo vit ka qenë prezent në listën e plazheve të ndotura. Njëkohësisht edhe përgjatë zonës Skelë–Plazh i Ri derdhen kanale të shumta të ujërave të zeza, duke bërë që në këtë zonë të ndihet prezenca e ngarkesave të larta bakteriologjike në ujë.

Frekuentimi

Ashtu si dhe një vit më parë, monitorimi ka treguar se plazhet që shtrihen në zonën jugore të vendit nuk paraqesin ngarkesa të larta bakteriologjike, duke mos rrezikuar shëndetin e pushuesve. Kështu, nga monitorimi është vërejtur se plazhet pas tunelit në Vlorë, Radhimë, plazhi i Orikumit, Dhërmiut, Himarës dhe Borshit konsiderohen si zonat më të pastra në vend e që mund të frekuentohen pa frikë nga pushuesit, pasi nuk paraqesin asnjë lloj rrezikshmërie. Gjithashtu edhe plazhet e Sarandës rezultojnë të jenë brenda normave të lejuara nga OBSH-ja, duke bërë përjashtim në këtë rast vetëm në plazhin pranë kanalit të Çukës, ku këto norma janë të tejkaluara,ndotje kjo që ka qenë prezente edhe vitin e shkuar.

Ndërsa në zonat veriperëndimore, ku përfshihen plazhet e Shëngjinit dhe të Velipojës ujërat detare rezultojnë të jenë brenda normave. Por në këto të fundit problematike është parë mungesa e kushteve higjienosanitare në mjedisin përreth dhe ndotje e sipërfaqes së rërës nga mbeturinat.

Plazhet e ndotura

Niveli i lartë i ndotjes edhe për këtë vit është paraqitur në plazhet e qytetit të Durrësit. Analizat kanë dëshmuar se ndotja paraqitet në nivele tepër të larta pranë zonës së Currilave, në plazhin e Zhironit te bërryli, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, te Plepat, në të cilat është vërejtur një nivel i lartë ndotjeje. Plazhi i Golemit është i ndotur përtej parametrave të OBSH-së dhe komunitetit evropian, pasi jo vetëm ujërat detare kanë ngarkesë të lartë bakteriologjike, por në gjendje alarmante është edhe mjedisi i plazhit, ku në mes të rërës vihen re kanale ujërash të zeza dhe pellgje ujërash urbane, që kundërmojnë erë të rëndë. Ndërsa në Vlorë problematike është gjendja në plazhin e vjetër të këtij qyteti, i cili pothuajse çdo vit ka qenë prezent në listën e plazheve të ndotura.

Frekuentimi i plazheve të ndotura

Komplikacionet që shfaqen në shëndetin e pushuesve

Rënia në kontakt me nivelin e lartë të ndotjes nëpër plazhe mund të bëhet shkak për shfaqjen e infeksioneve të lëkurës, të cilat janë një grup sëmundjes që kanë një përhapje të shpeshtë dhe prekin një kontingjent të konsiderueshëm personash gjatë stinës së verës. Frekuentimi i plazheve publike si dhe ndotja në këto ambiente është arsyeja kryesore e shfaqjes së këtyre infeksioneve. Sipas mjekëve, kontakti i drejtpërdrejtë me faktorët shpërthyes, stafilokoku dhe streptokoku (mikrobe patogjene) si dhe funge të ndryshme që ndodhen në ujin e detit apo edhe të pishinave, rërë apo shezlongje, shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre problemeve, veçanërisht në lëkurë. “Sigurisht që sëmundja shfaqet atje ku gjen terren të përshtatshëm, në kushte të një higjiene personale jo të mirë si dhe varet edhe nga sistemi imunitar. Ky i fundit gjatë ekspozimit në temperatura të larta tenton të dobësohet dhe për pasojë individët preken më lehtë nga mikrobe të ndryshme, që qarkullojnë në mjedisin e jashtëm. Ndërkohë kategoria më e rriskuar mbeten fëmijët. Së pari, rreziku qëndron në faktin se janë sëmundje ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë, nëse nuk respektohen kushtet higjienosanitare të tilla, si: përdorimi i të njëjtit peshqir, përdorimi i veshjeve personale dhe shapkave e sandaleve personale etj. dhe sigurisht nëse këta shkaktarë patogjenë gjejnë terren të përshtatshëm për t’u shfaqur. Veç kësaj mund të ndodhë që sëmundja të përhapet në trup dhe të japë komplikacione që kërkojnë trajtim më të gjatë dhe shenjat të bëhen më të rënda”, - pohon mjekia dermatologe Monika Fida.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›