Pronat në Greqi, pronarët shqiptarë rrezikojnë pronësinë
Në rast se prona nuk riregjistrohet brenda muajit dhjetor në Greqi, atëherë e humbet atë. Ky është një ligj i ri në shtetin helen, duke bërë që shumë pronarë shqiptarë të rrezikohen. Kjo, për shkak sepse ambasada greke nuk po jep viza për këtë kategori shqiptarësh që kërkojnë të udhëtojnë në Greqi për të regjistruar pronat. Shqiptarët kanë dokumente qe vërtetojnë se ata janë pronarë të tokave bujqësore, kullotave dhe pyjeve, ndërtesave, shtëpive të banimit, llogari bankare si dhe renta për vite të tëra, në shuma deri në katër miliardë euro në total, por e kanë të vështirë regjistrimin. Shoqata e Shqiptarëve me Prona në Greqi ka deklaruar se kjo kategori e shqiptarëve duhet të ketë lehtësira në pajisjen me viza për të udhëtuar në shtetin helen. Kjo shoqatë kërkoi me anën e një peticioni që një kërkesë e tillë të respektohet. “Kërkojmë angazhimin e autoriteteve greke lehtësimin e procedurave të vizave për në shtetin grek, për të gjithë qytetarët që synojnë të adresojnë kërkesat e tyre të pronësisë para institucioneve greke. Duke besuar te ratifikimi i Traktatit të Miqësisë mes dy vendeve tona në vitin 1997, ne kërkojmë angazhimin serioz të autoriteteve vendase për të siguruar ndihmë ligjore për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë pretendime pronësie në territorin e Republikës Helenike, për ngritjen e një zyre qeveritare, e cila do t'u japë informacionin e nevojshëm lidhur me procedurat administrative ose gjyqësore që nevojiten dhe lehtësira të tjera në këtë proces”, - thuhet në peticionin e kësaj shoqate.