E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, e gatshme të Përballet me PD-në në referendum popullor

Gazeta Shqip

Hapat 

Mazhoranca – Partia Demokratike pritet të mbledhë 50 mijë firma qytetarësh dhe 1/5-at e firmave të deputetëve për të kërkuar mbajtjen e referendumit

Opozita – Partia Socialiste pritet që të japë qëndrimin e saj pro referendumit me kusht që të shtohen kërkesat e saj për garancitë institucionale

KQZ – Mbajtja e referendumit për çështjen e imunitetit do të duhet të miratohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhet ta miratojë me 5 vota

Të shtohet pyetja për kryeprokurorin me 84 vota

Opozita pritet ti përgjigjet flakë për flakë propozimit të mazhorancës për organizimin e një referendumi popullor për çështjen e imunitetit. Edhe pse nga selia rozë askush nuk bën publike detajet e qëndrimit politik, për arsye se ajo do të artikulohet në sallën e Kuvendit, burime nga PS bëjnë të ditur se opozita nuk do ti shmanget një përballje popullore me Berishën. Përkundrazi, na hanë duart për një garë elektorale, mezi e presim, veçse do të tregohemi të kujdesshëm që gjithçka të bëhet në respekt të plotë me ligjin dhe Kushtetutën. Do të përsëritet 6 nëntori i vitit 1994, tha dje për Shqip, një drejtues i lartë i opozitës. Sipas të gjitha gjasave, opozita nuk do të shmanget nga një kërkesë për referendum, duke iu përgjigjur pa ngurrim Kryeministrit, për të shtuar në pyetësor edhe kërkesën që kryeprokurori i Republikës dhe krerët e institucioneve të larta kushtetuese të zgjidhen me 84 vota.

Procedura

Plani i opozitës ka dy skenarë dhe ka paraparë edhe kundërshtimin e mazhorancës në Kuvend për kërkesën për shtesën në pyetësorin e referendumit. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë opozita do të marrë të gjitha masat e të mbledhë më shumë se 50 mijë firma për ta çuar kërkesën zyrtare për referendum në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, para se këtë ta bëjë mazhoranca. Pra të mos e lërë PD-në që të bëjë politikën e faktit të kryer. Por gjithçka do të bëhet e ditur gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve kur do të vendoset në programin e Kuvendit, kërkesa e Partisë Demokratike për mbajtjen e një referendumi për çështjen e imunitetit. Megjithatë pritet që plani për referendumin të lihet në fund pasi të konsumohen betejat ligjore për të kundërshtuar argumentin e mazhorancës, që mund të çojë në popull një draft që është kompetencë e Kuvendit për ta vendosur. Sipas Kushtetutës, por edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mendimet e ligjit themeltar të shtetit do të duhet të dërgohen për ratifikim plebishitar nëse ato janë miratuar nga Parlamenti me 3/5-at e votave. Kështu ka ndodhur në fakt edhe në vitin 1998 kur Kushtetuta aktuale e Republikës u votua me referendum popullor, pasi u miratua nga shumica e cilësuar e Kuvendit. Në atë kohë Partia Demokratike bëri thirrje për bojkotimin e referendumit, apel që nuk pati sukses. Ligji themeltar i shtetit, u miratua dhe po mbrohet edhe sot nga ana e mazhorancës aktuale.

Kërkesat e PS

Bashkë me draftin për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve, gjë që PS arriti konsensus me Partinë Demokratike, opozita paraqiti edhe një draft për ndryshime kushtetuese, ku kërkonte që Prokurori i Përgjithshëm, por edhe drejtues të institucioneve të tjera kushtetuese të zgjidhen me 84 vota si modeli i Avokatit të Popullit. Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi në korrik se Nuk kemi pse të mos pranojmë që atë çka e garantonte deri dje Presidenti i zgjedhur, me 3/5 duhet tani ta garantojnë 3/5 e Parlamentit, për të votuar propozimet e Presidentit. Besoj që kjo do të ishte një reformë strukturale e qenësishme, e cila, pa asnjë dyshim, do të na vendoste në një dritë shumë pozitive në vigjiljen e provimit të vjeshtës në Bruksel.

Berisha

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se mazhoranca brenda dy javëve të para të shtatorit do të dorëzojë kërkesën për heqjen e imunitetit. Në një konferencë për mediat nga Kryeministria, shefi i qeverisë ftoi ligjvënësit e majtë të firmosin për heqjen e imunitetit si detyrim ligjor ndaj qytetarëve shqiptarë.

Jam këtu për të njoftuar se deputetë të mazhorancës do jenë ato që do dorëzojnë kërkesën për heqjen e imunitetit brenda 2 javëve të fillimit të shtatorit kërkesa autorizon 50 mijë qytetarë dhe 1/5 e Parlamentit, theksoi Kryeministri.

Kushtetuesja - Gjykata Kushtetuese ka vendosur që mendimet e Kushtetutës duhet të miratohen fillimisht në Kuvend me 84 vota

Konferenca - Futja në rendin e Kuvendit e referendumit për imunitetet duhet të miratohet nga Konferenca e Kryetarëve

Precedenti – Në 6 nëntor të vitit 1994, Berisha kërkoi referendum për projektin e Kushtetutës, i cili humbi në popull

Përgjigjja

Rama: Duhet të jesh budalla për ta besuar

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas akuzave të Kryeministrit Berisha, i cili deklaroi se opozita kundërshton heqjen e imunitetit duke privuar vendin nga e drejta e marrjes së statusit të kandidatit për në BE dhe shqiptarët nga korrupsioni, kryesocialiste sulmoi shefin e qeverisë se po justifikon dështimin me deklaratat e tij. Nuk është as opozita që e bllokon integrimin, po është qeveria që fajëson në kor opozitën për të justifikuar dështimin e vet me integrimin. S’është imuniteti që pengon hyrjen tonë në BE, po qeverisja që spërmbush dot detyrat e BE-së, institucionet e kapura dhe mungesa e shtetit ligjor,- shkruan Rama në faqen e tij në Twitter. Sa më shumë Saliu flet për imunitetin aq më shumë mendoj se duhet të jesh vërtet shumë budalla për të besuar se thotë të vërtetën!,- shtoi Rama. Lideri i PS-së në deklarimet e mëparshme ka përsëritur disa herë qëndrimin e opozitës se është dakord për heqjen e imunitetit, duke kërkuar që të votohet dhe drafti i garancisë institucionale.

Opozita, e gatshme të Përballet me PD-në në referendum popullor burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›