Meta: “Marrëveshja PD-PS po bllokon Komisionin e Reformës Zgjedhore”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së dhe banorë të Bashkisë së Kamzës. Në fjalën e tij në këtë takim Meta është ndalur në debatet për reformën zgjedhore. Kryetari i LSI-së shprehu zhgënjimin nga një pjesë e lidershipit të PS-së për marrëveshjen që ata kanë arritur me kryeministrin Sali Berisha. "Sikurse e keni ndjekur në media, është për të ardhur keq që përfaqësues të lidershipit të PS-së kanë hyrë në tratativa jotransparente me përfaqësuesit e z.Berisha, duke anashkaluar Parlamentin, duke anashkaluar dhe bllokuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe, për fat të keq, duke shkelur një marrëveshje që kanë pasur pesë partitë e opozitës, që si çështje të parë kanë pasur qëndrimin e përbashkët për reformën zgjedhore", - tha Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh se opozita duhet të mbrojë votën e lirë dhe jo të bëjë pakte me Berishën. “Opozita, në këtë moment tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit, duhet të luajë një rol historik për mbrojtjen e votës së lirë, sepse Berisha nuk kishte absolutisht lidhje me këtë të drejtë të shenjtë, sepse ishte ai njeri që i vodhi votat në vitin 1996 apo që u përpoq sërish në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar”, - u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së foli edhe për debatin e provokuar nga radhët e lidershipit të PS-së për çështjen e kryeministrit të ardhshëm, duke deklaruar: “Nuk ka qenë dhe nuk është një shqetësim as i LSI-së dhe as i Ilir Metës çështja e kryeministrit. Nuk është hapur fare nga LSI-ja kjo çështje dhe as e meriton të hapet kur ne jemi të bindur që themelore dhe kryesore mbi çdo gjë tjetër është dhe duhet të jetë se si të mbrohen zgjedhjet e ardhshme nga manipulimet e mundshme të kësaj qeverie dhe ndaj këtij kryeministri”. Meta ka folur gjithashtu edhe për kryetarin e PS-së, Edi Rama, duke thënë: “E ftoj shokun tonë, Edi, që të mos bjerë pre e servilizmave të atyre njerëzve në lidershipin e Partisë Socialiste, të cilët e nxisin në veprime dhe sjellje arrogante krejtësisht të panevojshme, të cilat nuk e ndihmojnë bashkimin e opozitës dhe të së majtës, as faktorizimin e mëtejshëm të opozitës në raport me maxhorancën për reformat më të mëdha. Janë po këta njerëz që e nxisin sot Edin kundër koalicionit për të shkelur marrëveshjet, të cilët po dje nxisnin Fatos Nanon kur ishte kryeministër kundër Ilir Metës dhe shumë socialistëve të tjerë që ngrinin probleme të ndryshme për qeverisjen e vendit. Ata janë të njëjtët njerëz, me karakter intrigantësh, përçarësish, servilësh dhe i abuzues me socialistët dhe me progresistët”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
4 Mars 2008