E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA-FIFA: “Jo auditim FSHF-së”

UEFA dhe FIFA nuk ndryshojnë opinion në lidhje me Federatën Shqiptare të Futbollit. Organizmat më të lartë të futbollit evropian dhe botëror kanë insistuar sërish në moskryerjen e auditimit në Federatën tonë nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Letra e dërguar nga ministri Ylli Pango tek UEFA dhe FIFA duket se nuk i ka bindur drejtuesit e këtyre institucioneve që kanë përgatitur një raport në lidhje me këtë çështje për ta shqyrtuar në komitetin ekzekutiv më 14 mars të këtij viti.
UEFA dhe FIFA prej kohësh i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të mos e kryejë auditimin në FSHF, pasi kjo e fundit konsiderohet një institucion jopublik dhe si i tillë auditimi nga qeveria nuk është i lejueshëm.
Në të njëjtën kohë, UEFA dhe FIFA kanë kërkuar që të gjenden prova bindëse për të gjitha akuzat e bëra përpara disa muajsh nga kryeministri Berisha dhe ministri Pango në lidhje me shitjen e dy ndeshjeve të Kombëtares shqiptare gjatë eliminatoreve të Euro 2008 kundër Bjellorusisë dhe Rumanisë.
Në rast se asnjë nga këto pika nuk plotësohen, atëherë si FIFA dhe UEFA nuk do të ngurrojnë të marrin masën ekstreme të përjashtimit të Federatës Shqiptare të Futbollit nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›