Islami-Rusmali bojkotojnë mbledhjen e Komisionit të
Shaban Sulçe
Partitë e vogla parlamentare mbledhin Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërkohë që bashkëkryetarët Ilir Rusmali (PD) dhe Kastriot Islami (PS) e bojkotojnë atë duke mos marrë pjesë në të. Mungesa e përfaqësuesve të PS-PD-së është cilësuar e kundërligjshme nga anëtarët, madje përfaqësuesi i LSI-së, Spartak Braho, ka kërkuar shkarkimin e tyre nga drejtimi i komisionit.
Ndërkohë, presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, që drejtonte seancën e djeshme, ka denoncuar dy partitë e mëdha, PS e PD, për pengesën që i kanë shkaktuar përfaqësuesit të OSBE-së për të ndjekur mbledhjen e djeshme të këtij komisioni. “Përfaqësuesi i OSBE-së është nisur për të marrë pjesë në këtë mbledhje, por është penguar të futet, duke i thënë se nuk do të ketë mbledhje të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kuptoni pra se çfarë marrëdhëniesh kanë dy partitë e mëdha edhe me OSBE-së, dhe besoj që edhe komentet e bëra mbi një mendim të shprehur nga përfaqësuesi i OSBE-së në Shqipëri synojnë të manipulojnë edhe OSBE-në”, - tha Ceka.
Propozimet
Duke folur për mbledhjen e djeshme, Ceka deklaroi: “Pjesëmarrja në këtë komision është një kërkesë e ligjshme, e cila anashkalohet në mënyrë të kundërligjshme nga dy kryetarët e komisionit, që përfaqësojnë PD-PS-në”. Pas diskutimeve të bëra nga përfaqësuesit e partive të vogla, kreu i PAD-së ka zyrtarizuar edhe kërkesat dhe propozimet e tyre e të partive të vogla parlamentare për elementët e rëndësishëm të reformës zgjedhore. “Sistemi proporcional i personalizuar zhduk Dushkun dhe ruan pragun, që është aktualisht 2.5 për qind, ndërkohë që kërkohet votimi me lista të hapura", - tha Ceka.
Peçi
Deputeti dhe përfaqësuesi i PBDNJ-së në komision, Spiro Peçi, tha se pavarësisht unifikimit të partive të vogla për të propozuar sistemin proporcional të personalizuar, ato nuk i kanë votat e nevojshme për ta përzgjedhur zyrtarisht atë. Për këtë Peçi ka kërkuar që të diskutohet me deputetët e dy partive të mëdha, për t’iu argumentuar se përse është në të mirë të vendit përzgjedhja e sistemit proporcional të personalizuar. “Duhet të kemi argumente që t’u mbushim mendjen kolegëve tanë deputetë të partive të tjera që vërtet sistemi proporcional i personalizuar është sistemi që siguron zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme. Për variantin që ne propozuam do të kërkojmë një ndërhyrje në Kushtetutë. Dhe ndërhyrja në Kushtetutë pa 94 vota nuk realizohet. Pra unë do të kërkoja mirëkuptimin e të gjithë kolegëve. T’u bëjmë një thirrje dy forcave të mëdha politike, përfaqësuesve të tyre në komision që të ulemi dhe të diskutojmë”, - tha Peçi, i cili nënvizoi edhe rëndësinë e kartave të identitetit, listës së zgjedhësve dhe përbërjes së komisioneve zgjedhore. Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi, konfirmoi akuzat ndaj dy partive të mëdha për qëllimet e tyre të mbrapshta me reformën zgjedhore. "Dy partitë e mëdha po neglizhojnë dhe pengojnë reformën zgjedhore, e cila nuk i duhet vetëm partive politike, por i duhet të gjithë shqiptarëve. Ne kemi një sistem zgjedhor që është kushtetues, por ne duhet ta rregullojmë atë me qëllim që të mos deformojmë zgjedhjet", - tha Madhi.
4 Mars 2008