E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Mazhoranca dhe opozita do të arrijnë kompromis

 
-Zoti Meta, opinioni ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për krizën politike në Shqipëri. Sipas jush, a ka arsye që kjo krizë të zgjasë kaq shumë, kur dihet që zanafilla nisi me zgjedhjet e qershorit? A shpresoni që kjo krizë do të kapërcehet nga vetë shqiptarët, kam parasysh këtu iniciativën e presidentit?
“Mendoj se Shqipëria ka arritur të përmbushë detyrimet kryesore të OSBE-së lidhur me zgjedhjet e fundit, të cilat u vlerësuan si më të mirat. Ato janë njohur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe e vetmja krizë, për fat të keq, që ekziston në Shqipëri, ka të bëjë me mospranimin e humbjes nga kryetari i Partisë Socialiste, ndërkohë që gjithë përfaqësuesit e kësaj partie në administratën zgjedhore i kanë njohur rezultatet dhe i kanë firmosur ato. Prandaj jam i bindur që  kjo është situatë tërësisht artificiale, e cila duhet të kalohet sa më shpejt”.
-Por çfarë ka bërë qeveria që kjo krizë të ndërpritet? A ka pasur ndonjë hap në drejtim të plotësimit të pretendimeve të opozitës?
“Qeveria ka qenë tepër e hapur për t'i krijuar opozitës të gjitha hapësirat edhe në drejtim të hetimit të pretendimeve të saj për shumë aspekte të zgjedhjeve të qershorit. Por kokëfortësia e kryetarit të Partisë Socialiste për të rihapur kutitë e votimit dhe për të bërë një proces rinumërimi në kushtet kur vendimet supreme për problemet e pretendimeve të tilla apo ankimimeve të tilla i ka marrë Kolegji Zgjedhor, pra Gjykata, sipas Kodit Zgjedhor të bërë me konsensus midis zotit Rama dhe zotit Berisha. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se Kushtetuta e Shqipërisë, që është e standardeve evropiane. në themel të saj ka pavarësinë e gjyqësorit dhe të gjykatave, sepse ka ndarjen e pushteteve”.
-Pra, mendoni se do të ketë një zgjidhje, një kompromis mes pozitës dhe opozitës?
“Besoj se po. Pasi në të gjitha drejtimet mazhoranca ka qenë shumë e hapur për të plotësuar kërkesat e opozitës, qoftë edhe duke i dhënë mazhorancën e një komisioni hetimor parlamentar, gjë që normalisht nuk i takon opozitës, i takon mazhorancës, por është vullneti i mazhorancës që të lëshojë shumicën në një rast të tillë. Pra, duket qartë që ka një përpjekje për një tension krejtësisht artificial, e cila vjen më shumë si rezultat i faktit që kryetari i Partisë Socialiste nuk është deputet, por ky ka qenë një vendim i tij dhe për këtë kërkon ta mbajë dialogun jashtë parlamentit. Megjithatë, besoj se janë të gjitha mundësitë që me më shumë vetëpërmbajtje dhe duke u ngritur mbi interesat e ngushta të rivendoset një dialog konstruktiv, i cili nuk dobëson institucionet, sepse nuk mund të jetë qëllimi i një dialogu për të dobësuar institucionet, por për t'i forcuar institucionet. Natyrisht, duke i garantuar edhe opozitës tw gjitha hapësirat për të ushtruar përgjegjësitë”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›