Mjekoligjorët: Eshtrat u përkasin 8 burrave dhe një gruaje
Nga ekzaminimet e para rezulton se viktimat janë vrarë gjatë periudhës 1975-1985, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar mosha e tyre
Artan CENA
TIRANë – Vendimi i Prokurorisë së Tiranës për ekzaminimin e eshtrave të gjetura në varrin masiv pranë tuneleve të ish-udhëheqjes në Dajt, ka vënë në lëvizje Mjekësinë Ligjore, ekspertët e së cilës kanë mundur të analizojnë të paktën 9 skelete nga eshtrat që u janë dorëzuar. Nga këto skelete, sipas ekspertizës, 8 janë të seksit mashkull, ndërsa vetëm një është femër. Të dhënat e analizave të deritanishme janë pohuar për “Korrierin” nga burime pranë Mjekësisë Ligjore, të cilat thanë se deri mbrëmjen e djeshme janë ekzaminuar rreth gjysma e eshtrave të gjetur në varrin masiv, ndërsa pjesa tjetër do t’iu nënshtrohet analizave ditën e sotme. Për këtë çështje është ngritur një grup i posaçëm pune, që përbëhet nga ekspertët më të mirë të Mjekësisë Ligjore, të cilët pritet të përcaktojnë kohën e ekzekutimit të viktimave, ndërsa momentalisht është thuajse e pamundur kryerja e analizave të ADN-së për secilën nga kufomat, për shkak të mungesës së laboratorit të nevojshëm. Burimet bënë të ditur se për identifikimin e tyre dhe saktësimin duhet të bëhet një punë e gjatë, që do të kërkojë disa kohë.
Ekspertiza
Mjekësia Ligjore e nisi punën gjatë ditës së djeshme për ekzaminimin e eshtrave të gjetur në varrin masiv në Dajt, pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës. Ishin prokurorët që kanë nxjerrë urdhrin paraditen e djeshme, ku kërkonte të dhëna në lidhje me eshtrat që u gjetën rreth dy javë më parë në zonën e malit të Dajtit. Grupi i mjekëve ligjore ka nisur punën e tij rreth orës 16:00, ku edhe do të kryejë analizat për 19 kufomat e gjetura në këtë var masiv. Ajo që ekspertët kanë mundur të përcaktojnë deri tani është fakti se viktimat e ekzaminuara janë ekzekutuar rreth viteve 1975-1985, por ende kjo gjë nuk është saktësuar, pasi do të duhen të tjera ekzaminime për nxjerrë një rezultat të saktë. Gjithashtu, edhe mosha e personave, eshtrat e të cilët u gjetën në malin e Dajtit, nuk është përcaktuar ende. Burimet thanë se do të duhet pak kohë për të bërë përcaktimin e të gjitha proceseve të mësipërme. Sipas burimeve, prokuroria kërkon nga mjekësia ligjore që të kryejë matjen e kockave, të përcaktojë kohën me afërsisht se kur janë ekzekutuar kufomat. Mjekësia Ligjore do të bëjë ekspertime për moshën e viktimave, kohën kur janë vrarë, kujt i përkasin eshtrat, janë meshkuj apo femra, si dhe të përcaktohet se me çfarë arme janë vrarë ata.
Prokuroria
Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë me dije se në ditët në vazhdim, oficerë e policisë gjyqësore do të kryejnë edhe këqyrjen sërish të vendit të ngjarjes, si dhe do të bëjnë analizimin e provave për të arritur në përfundimin nëse kufomat e gjetura janë ekzekutuar në këtë vend apo jo. Mjekësia ligjore në ditët në vazhdim do të dalë me një raport përfundimtar të saj, e cili do t’ia dërgojë Prokurorisë së Tiranës, ku edhe do t’i shpjegojë me detaje nëse eshtrat e gjetura në komunën e Dajtit u përkasin viktimave të regjimit komunist apo jo, periudhën me përafërsi se kur mund të jenë ekzekutuar, si dhe identitetin e tyre. Eshtrat e 18 personave, si dhe kafka e një personi tjetër kanë dalë në dritë në muajin nëntor të vitit 2009, ku Agron H., i cili përpiqej të lokalizonte eshtrat e babait të tij, duke gërmuar, ka zbuluar një var masiv, i cili shtrihej në një sipërfaqe toke 100 deri 150 m2.
Vizita në Dajt
Deputetët e PD-së: Drejtësia të pastrohet nga xhelatët e komunizmit
TIRANë - Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë vizituar dje varrin masiv të zbuluar në Tiranë, duke theksuar se një varr i tillë është një apel i fortë për pastrimin e institucioneve, sidomos të atyre të drejtësisë, nga elementët e inkriminuar gjatë periudhës së sistemit komunist. Pasi mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, deputetja e PD-së, Mesila Doda, tha se “qëndrimi ynë këtu sot, është për të rikujtuar krimet makabre të atij regjimi, i cili duhet të dënohet nga ne dhe të gjithë brezat që do të vijnë. Njerëzit që kanë dhënë vendime, ata që kanë vrarë dhe ekzekutuar, sot nuk mund të vazhdojnë më të qëndrojnë në drejtim dhe nuk mund të vazhdojnë të jenë më në krye të gjykatave”. Ndërsa deputeti demokrat, Genti Strazimiri, tha se ky vend duhet të jetë “një vend pelegrinazhi, ku të përkujtohet historia e dëshmorëve të fjalës së lirë, e atyre që humbën jetën në këto gërxhe”. Nga ana e tij, deputeti demokrat Eduard Halimi konfirmoi vendosmërinë e mazhorancës për t'i shkuar deri në fund qëllimit të saj, që gjyqtarët dhe politikanët që kanë dënuar njerëz të pafajshëm të largohen nga skena publike. “PD është partia që ka ardhur në emër të lirisë dhe ajo është e vendosur që t'i shkojë deri në fund idealeve demokratike. Persekutorët nuk do të gjejnë paqe asnjëherë”, tha ai. Pak ditë më parë u gjetën eshtrat e 19 personave, që mendohet se janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste. Eshtrat u gjetën në sajë të kërkimeve të djalit të njërit prej atyre qindra të dënuarve nga diktatura.
Drejtoresha e Arkivit: Mungojnë dokumentet
TIRANë - Drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, ka deklaruar dje, se jo gjithmonë ka dokumente për personat që janë ekzekutuar në regjimin e komunizmit. Nika theksoi se mospasja e dokumentacionit për të ekzekutuarit është edhe si pasojë e periudhës së gjatë që vendi kaloi në diktaturë. “Në diktaturë kishe edhe një dënim, ai i botës së përtejme, pasi nuk janë të paktë ata që nuk i gjenden eshtrat”, theksoi Nika, duke shtuar se në Arkivin e Shtetit gjenden gjurmë të ekzekutimeve. “Në Arkivin e Shtetit gjenden gjurmë të ekzekutimeve, por nuk dimë ku janë hedhur trupat e të ekzekutuarve, - theksoi Nika, - duke shtuar se shumica e të ekzekutuarve janë varrosur në varre masive dhe në vende ku varri humbiste.
Pushkatimi i Liri Gegës e Dali Ndreut
Vajza e ish-gjeneralit kërkon eshtrat e prindërve
Liri Merlika ka paraqitur dje pranë Avokatit të Popullit një ankesë, me anë të së cilës kërkon informacion për eshtrat e prindërve të pushkatuar në vitin 1953
TIRANë - Gjetja e rreth 19 skeleteve në një varr masiv pranë malit të Dajtit ka ringjallur shpresat e familjarëve të një prej figurave më të larta të ushtrisë shqiptare, për gjetjen e eshtrave të Liri Gegës e Dali Ndreut, të cilët janë pushkatuar në vitin 1953 pas disa seancave gjyqësore me dyer të mbyllura. Pas më shumë se gjysmë shekulli, vajza e dy intelektualëve të pushkatuar nga sistemi i kohës, pasi u shpallën fajtorë për akuza absurde, ka trokitur në dyert e Avokatit të Popullit. Liri Merlika ka dorëzuar një ankesë pranë këtij institucioni, me anën e të cilës kërkon informacion mbi vendndodhjen e eshtrave të prindërve të saj, të cilët janë ekzekutuar barbarisht, pas shpalljes fajtorë nga Gjykata e Lartë Ushtarake që kryesohej nga Aranit çela. Duke dyshuar se eshtrat e dy prej të vrarëve që u gjetën pak ditë më parë në Dajt, vajza e ish-gjeneralit, tashmë e moshuar, kërkon nga Avokati i Popullit të mundësojë verifikimin e këtij informacioni. Burime pranë këtij institucioni pohuan se po dje kanë qenë edhe familjarët e një tjetër të ekzekutuari që kanë kërkuar gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre. Përgjigjja për këto ankesa sipas burimeve mund të jepet vetëm pas përfundimit të analizave të të gjithë skeleteve që janë gjetur në varrin masiv me një sipërfaqe prej rreth 70 metrash katrorë pranë tuneleve të udhëheqjes në Linzë. “Korrieri” riboton historinë e dënimit të ish-gjeneralit Dali Ndreu dhe bashkëshortes së tij, Liri Gega, pas një gjyqi me dyer të mbyllura më 22 nëntor të vitit 1956.
Vendimi i Gjykatës së Lartë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPëRISë
Vendimit Datë 22 nëntor 1956 Nr. 16 i Radhorit Themeltar
VENDIM “Në EMëR Të POPULLIT”
Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e Aranit çelës, kryetar i Gjykatës së Lartë, me anëtarë: nënkolonel Mustafa Qilimi, nënkryetar i Gjykatës së Lartë, nënkolonel Loni Dimoshi, anëtar i Gjykatës së Lartë;me asistimin e sekretarit Murat Qazimi, me pjesëmarrjen e zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, nënkolonel Vangjel Kocani shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale nr. 16, që u përket të pandehurve:
1)-Liri Gega, e bija e Besimit dhe e Asijes, lindur në Gjirokastër më 1917, banuese në Tiranë, me origjinë shoqërore, shtresë e mesme, me gjendje shoqërore nëpunëse, pa parti, me arsim të lartë, e martuar, me dy fëmijë, e padënuar, e arrestuar më datë 10 korrik 1956. 2)-Dali Ndreu, i biri i Isufit dhe i Xhevrijes, lindur në katundin Sllovë të Peshkopisë, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore çifligar, me gjendje shoqërore nëpunës, pa parti, me arsim të lartë, i martuar, me dy fëmijë, i pa dënuar më parë, i arrestuar më 10 gusht 1956. 3)-Astrit Gega, i biri i Besimit dhe Asijes, lindur më 1922 në Gjirokastër, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore shtresë e mesme, me gjendje shoqërore nëpunës, pa parti, me arsim të lartë, i martuar, me dy fëmijë, i pa dënuar më parë, i arrestuar më 27 tetor 1956.4)-Beshir Ndreu, i biri i Isufit dhe i Hides, lindur më 1895 në katundin Sllovë të Peshkopisë dhe banues po atje, me origjinë shoqërore çifligar dhe me gjendje bujk, pa parti, analfabet, i martuar, me 7 fëmijë, i dënuar në vitin 1947 për strehim kriminelësh nga Gjykata Ushtarake e Peshkopisë me 3 vjet burgim, i arrestuar më 12 tetor 1956. 5) Petro Bullati, i biri i Vasilit dhe i Angjelinës, lindur në Tuz të Jugosllavisë, banues në Tiranë, me kombësi jugosllave dhe pa shtetësi, me origjinë shoqërore shtresë e varfër, me gjendje shoqërore punëtor-teknik-elektricist, pa parti, me arsim një klasë të mesme, i martuar, me dy fëmijë, gjatë pushtetit popullor i pa dënuar, tash i arrestuar që nga data 30 gusht 1956.
Në përfundim të gjykimit, Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë
V ë R E N:
Gjatë zhvillimit të gjykimit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati kanë zhvilluar aktivitet kriminal armiqësor kundra pushtetit popullor dhe forcës udhëheqëse të tyre, PPSH-së. Të pandehurit, në veprimtarinë e tyre kriminale-armiqësore kanë pasur për qëllim që me anën e rrëzimit të udhëheqjes së partisë dhe qeverisë dhe me zëvendësimin e saj me elementë trockistë, oportunistë, devijatorë dhe karrieristë të goditur vazhdimisht nga partia, të ndryshonin kursin e zhvillimit socialist të RPSH-së dhe t’ia nënshtronin vendin një shteti të huaj. Për realizimin e qëllimit kriminal të lartpërmendur, të pandehurit Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati kanë zhvilluar aktivitet të organizuar agjitacioni dhe propagande, si dhe kanë bashkëpunuar me funksionarët diplomatikë të legatës jugosllave në Tiranë, të quajturit Cvetozar Koçiç dhe Rexhep Xhiha, të cilëve u kanë kryer shërbime të ndryshme me karakter spiunazhi, si dhe i kanë furnizuar me informata me karakter sekret. Të pandehurit Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati me veprimtarinë e tyre kriminale kanë grumbulluar rreth vetes elementin antiparti dhe antipushtet, si dhe me propagandën e tyre armiqësore kanë helmatisur elementë të lëkundshëm, që nuk e kanë pasur të qartë politikën e drejtë të partisë dhe qeverisë. Të pandehurit Liri Gega dhe Dali Ndreu, sidomos në ditët e para dhe gjatë zhvillimit të Konferencës të Partisë të qytetit të Tiranës, kanë zhvilluar aktivitet të theksuar agjitacioni dhe propagande, me qëllim për t’i dhënë konferencës karakter antiparti dhe antipushtet. Të pandehurit Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati, duke shtrembëruar në mënyrë flagrante realitetin, me agjitacionin dhe propagandën e tyre janë munduar të paraqesin si fajtorë në mospërmirësimin e plotë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë udhëheqjen e PPSH-së dhe qeverinë shqiptare. Në hetuesi dhe para gjyqit, e pandehura Liri Gega pohoi: “Në lidhje me çështjen e Jugosllavisë, unë e kam shpjeguar nga pozita antiparti. Unë qëndrimin jo miqësor ndaj Jugosllavisë e shpjegoja si konsekuencë e politikës jo të drejtë të partisë dhe prandaj jugosllavët nuk e aprovonin këtë qëndrim”. Me qëllim diskreditimi, të pandehurit kanë shpifur kundër udhëheqjes së partisë dhe qeverisë, duke shkuar në këtë drejtim deri në trillimin ose fyerjen dhe të evenimenteve të vogla me karakter personal. Në lidhje me këtë, e pandehura Liri Gega në hetuesi dhe para gjyqit pohoi: “Kam kritikuar udhëheqësit jo vetëm për çështje politike, por kjo ka arritur edhe në çështje personale, të thjeshta, çështje grash etj”. Për t’ia arritur qëllimeve kriminale armiqësore të tyre, të pandehurit kanë dalë me flamurin e rehabilitimit të elementit antiparti dhe armik të goditur nga partia. Ata në këtë drejtim kanë shtrembëruar ose fshehur aktivitetin armik të këtyre elementëve. Ata kanë kërkuar që të futen në radhët e PPSH-së dhe të zënë poste udhëheqëse në parti e qeveri, elementë të cilët për shkak të pikëpamjeve oportuniste,devijatore, trockiste, karrieriste etj., ishin të gatshëm t’i jepnin fund rrugës së lavdishme të socializmit që ndjek populli shqiptar nën udhëheqjen e Partisë dhe Qeverisë Popullore, t’i jepnin fund miqësisë që e lidh popullin tonë me shpëtimtarin dhe mbrojtësin e tij Bashkimin Sovjetik dhe ta fusnin vendin tonë në rrugën e rreziqeve dhe gjunjëzimit para ndonjë shteti tjetër, që synon në këtë drejtim. Kështu, i pandehuri Dali Ndreu ka pohuar në hetuesi dhe para gjyqit: “Aktiviteti ynë synonte në rishikimin e pikëpamjeve tona. Të hiqeshin masat që ishin marrë karshi nesh dhe të tjerëve, si p.sh kundra meje, Lirisë, Ramadan çitakut, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut etj. Të merreshin masa kundër atyre që janë ngritur në situata jonormale dhe kuadrot e vjetra të vihen në poste komanduese”. Gjithashtu, për realizimin e qëllimeve të tyre, të pandehurit me propagandën që zhvillonin kanë shtrembëruar rëndësinë dhe qëllimin e vërtetë dhe të drejtë të masave ekonomike të marra nga pushteti popullor. Në kundërshtim me realitetin kanë paraqitur gjendjen ekonomike të vendit, kanë mohuar sukseset e arritura nga populli në ndërtimin e socializmit, në përmirësimin dhe ngritjen e mirëqenies së tij. Në lidhje me këto, e pandehura Liri në hetuesi dhe para gjyqit ka pohuar se: “Në lidhje me çështjet ekonomike, në disa raste unë kam bërë dhe kritika me karakter ekonomik dhe ndonjë masë të pushtetit nuk e kam shpjeguar ashtu sikur ishte në të vërtetë. P.sh. në lidhje me heqjen e triskave, nuk e quaja si një masë që ishte në interes të punonjësve, përderisa çmimet vazhdonin të mbaheshin të larta”. Të pandehurit Liri Gega e Dali Ndreu, duke qenë në dijeni dhe duke dhënë mendimin dhe aprovimin e tij edhe i pandehuri Petro Bullati kanë vendosur dhe filluar punën për të bërë një të ashtuquajtur rezolutë, e cila do të përmbante trillime dhe shpifje të ndryshme kundër udhëheqjes së Partisë së Punës dhe Qeverisë Popullore të Shqipërisë. Rezoluta që do t’i dërgohej Bashkimit Sovjetik nëpërmjet një përfaqësie diplomatike të huaje në Tiranë. Me anën e kësaj rezolute, të pandehurit mendonin të krijonin përçarje dhe ngatërresa midis vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik. Në gjithë këtë veprimtari kriminale armiqësore kundra partisë, qeverisë dhe popullit shqiptar, të pandehurit Liri Gega dhe Dali Ndreu janë ndihmuar nga funksionari diplomatik i Legatës Jugosllave në Tiranë, Cvetozar Koçiç (ose Cveto, siç e thërrisnin). Për këtë, e pandehura Liri si në hetuesi, ashtu dhe para gjyqit ka pohuar: “Gjatë bisedimeve që zhvillonim me Cveton rreh çështjeve politike në vendin tonë, unë nuk isha dakord me disa çështje të politikës që ndiqte partia dhe pushteti, po ashtu nuk ka qenë dakord edhe Cvetoja.
Vendimi përfundimtar
1) Deklaron fajtor të pandehurën Liri Gega:
a) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të spiunazhit;
b) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të përgatitjes për
arratisje jashtë shtetit;
c) për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kundra pushtetit popullor dhe për krimin e agjitacionit e propagandës.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon me: Vdekje me Pushkatim dhe me konfiskim të pasurisë.
2) Deklaron fajtor të pandehurin Dali Ndreu:
a) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të spiunazhit;
b) për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer me anë të përgatitjes për
arratisje jashtë shtetit; c) për krimin e pjesëmarrjes në një organizatë kundra pushtetit popullor dhe për krimin e agjitacionit dhe propagandës.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon me: Vdekje me Pushkatim dhe me konfiskim të pasurisë.