Rama: Në tryezë për rinumërimin e votave

Kryetari socialist Edi Rama deklaroi se nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh optimist dje për tryezën e organizuar nga presidenti Bamir Topi, që do të mbahet të shtunën e ardhshme, me qëllim ballafaqimin e palëve politike për zgjidhjen e krizës politike. Një ditë para nisjes në Strasburg, Rama tha se caktimi i datës së tryezës me miratimin e palëve politike është shprehje e progresit të bërë si nga ana e opozitës, por edhe nga ajo e ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën aktuale. Por, para uljes në tryezë, Rama sqaroi se në negociata nuk do të pranojë tërheqjen nga kushti i rinumërimit të votave. Sikurse tha edhe vetë Rama, rinumërimi nuk do të synojë aspak ndryshimin e rezultatit zgjedhor në tavolinë, por vetëm do të shërbejë për transparencën e parregullsive të kaluara të procesit zgjedhor, në mënyrë që të mundësohet që në zgjedhjet e ardhshme të mos përsëriten. “Hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm për të pasur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe ligjit, duke zbërthyer të gjithë elementet që e përbëjnë procesin. Ne nuk duam të hapim kutitë për të përmbysur pushtetin në tavolinë. Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të procesit, të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë në lëvizje Parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje dhe për t’u dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi”, tha Rama i pyetur nga mediat nëse do të pranojë ofertën e mazhorancës që të hapen vetëm kutitë e materialeve zgjedhore dhe jo kutitë që mbajnë fletët e votimit. Po ashtu, kreu socialist foli edhe për protestat e paralajmëruara, ku tha se opozita është në protestë dhe do të vazhdojë të jetë, në rast se tryeza e negociatave ndryshon. Rama paralajmëroi gjithashtu koordinimin në një strukturë të vetme të të gjithë faktorëve opozitarë në vend, duke e cilësuar këtë si një detyrim që buron nga çështja e demokracisë në Shqipëri. “Ne jemi në protestë, sepse nuk jemi në parlament. Shfaqja e kësaj proteste në të gjitha format e veta është pjesë e këtij procesi, i cili sot është i fokusuar tek tryeza dhe për këtë arsye edhe gjithë përgatitja jonë për çka vjen më pas, zhvillohet në një formë tjetër të përshtatur me nevojën për t’i dhënë dialogut hapësirën e vet”, tha Rama.