E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Moore kërkon miratimin e 3 ligjeve, Berisha të mos ndërrojë mendje deri të enjten

TIRANË-Kryetari i LSI, Ilir Meta në një dalje për mediat bëri të ditur detaje nga takimi që pati sot pasdite me Jonathan Moore, Drejtorin për Europën Qëndrore dhe jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Meta theksoi se në fokus të diskutimit kanë qenë 3 ligjet dhe mesazhi i mirë që do të përcillte në këto prag zgjedhje miratimi i tyre në Kuvend.

“Kemi biseduar për zgjedhjet e 23 qershorit, kemi shprehur kënaqësinë të dyja palët për mundësinë e miratimit të 3 ligjeve ditën e enjte në Kuvendin e Shqipërisë si një akt i përgjegjshmërisë së përbashkët ndaj të ardhmes së përbashkët të vendit, një e ardhme që përkrahet fuqimisht nga SHBA.
Kemi marrë inkurajim për miratimin e 3 ligjeve që do të krijojnë një lehtësi për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti, por dhe do jetë një mesazh shumë i mirë për klimën elektorale ku partitë të luftojnë deri në fund për çdo votë. Por ky proces deri në fund t’i shërbejë vendit”.

Meta theksoi se me Moore është diskutuar edhe çështja e KQZ-së.
“Bëra të qartë interesin tonë që të rivendoset besimi, konsensusi dhe integriteti i KQZ-së. Por në çdo rast kam shprehur vendosmërinë tonë për të marrë pjesë në të gjithë nivelet e tjera të administrimit zgjedhor më 23 qershor”- tha Meta.

Lidhur me një debat të mundshëm të tij me Berishën, kreu i LSI-së tha se kryeministri duhet të çojë përpara njëherë debatin me Ramën, i cili ka 4 vjet që diskutohet.
“Berisha e Rama, ata kanë 4 vjet që e kanë lënë këtë debat. Ata të bëjnë njëherë debatin mes tyre, pastaj unë këtu jam i gatshëm dhe për debate, por ajo që është më e rëndësishme është se z Berisha duhet të kuptojë se është shumë e rëndësishme të mos ndërrojë mëndje për 3 ligjet deri të enjten dhe të kontribuojë sa i takon 23 qershorit dhe pas kësaj date. Këto të tjerat janë cështje sekondare”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›