Meta: Mosmarrja e statusit, përgjegjësi e klasës politike

Kreu i LSI, Ilir Meta
Kreu i LSI-së, intervistë në Dojçe Vele
Proces kushtetues, transparent e konstruktiv për të zgjedhur një President me integritet
Kreu i LSI shprehet për radion Dojçe Vele se Presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet përmes një procesi kushtetues e transparent, për të gjetur një kandidaturë me integritet që do bëjë të mundur funksionimin e institucioneve.
Gjatë një vizite në Gjermani, Meta u takua me zëdhënësin për Politikën e Jashtme të grupimit më të madh në Bundestag, CDU CSU, Philipp Missfelder, zë-dhënësin për Çështjet për Ekonominë të po këtij grupimi parlamentar, Joachim Pfeiffer, si dhe takimin me përfaqësuesin e Socialdemokratëve në Komitetin e Jashtëm të Bundestagut, Ditemar Nietan.
Zoti Meta, si do ti vlerësonit takimet e zhvilluara gjatë qëndrimit në Berlin?
Janë tepër të dobishme. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për sfidat e mëdha që ndeshet BE-ja dhe vetë Gjermania, si një nga vendet me rol shumë të rëndësishëm. Në këtë kuadër, intensifikimi i takimeve dhe kontakteve është shumë i rëndësishëm që të mos humbë vëmendja për Shqipërinë dhe Ballkanin. Në mënyrë natyrale vazhdon më pas edhe axhenda integruese.
Vendet e fqinje kanë bërë hapa para në integrimin europian, e sidomos Serbia, e cila mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ndërkohë që Shqipëria ka marrë përgjigje negative. Ku ka mbetur integrimi i Shqipërisë sipas jush?
Unë dua të theksoj rëndësinë e progresit të të gjithë rajonit drejt BE-së. Hapi përpara i çdo vendi në rajonin tonë, është një hap para për rajonin. Shqipëria duhet ta kishte marrë kohë më parë statusin e vendit kandidat dhe kohë e çmuar është humbur në këtë drejtim. Vlerësimi im është se arsyeja kryesore ka qenë mungesa e përgjegjësisë së duhur dhe nivelit të duhur të politikës sonë, pa synuar për ta lokalizuar dhe specifikuar në mënyrë të veçantë. Në fund të fundit çdo lloj papërgjegjshmërie, kudo që ajo mund të veçohet apo të identifikohet, është një përgjegjësi që i mbetet klasës politike në vend. Unë e shoh të mundur që të ecet përpara në këtë drejtim. Duhet të kemi parasysh se do të kishte qenë më e lehtë pak kohë më parë se sa tani për të ecur me të njëjtin ritëm, sepse shumë sfida të reja kanë dalë tashmë për Bashkimin Europian, dhe pavarësisht vendosmërisë për zgjerim, ne të gjithë e dimë që nuk ekziston ai entuziazëm që ka qenë më parë. Kjo duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për tu rritur më tej dhe për të arritur ato standarde të domosdoshme që kërkon krijimi i besueshmërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Pra, po thoni që politika shqiptare duhet të lerë ndasitë dhe të bashkohet në një zë në të mirë të integrimit të vendit në Bashkim Europian?
Politika jonë duhet të jetë serioze, në mënyrë që të fitojë besueshmërinë nga Bashkimi Europian. Dihen prej kohësh prioritet e rekomandimet e bëra publike dhe njëkohësisht dihet se ka munguar vullneti i qartë për të votuar jo vetëm këto ligje, por edhe për të treguar seriozitetin rreth këtij procesi, për të vendosur një interes mbarëkombëtar si integrimi mbi axhendat e ngushta politike të çdo force politike apo drejtuesi.
2 marsi i vitit 1444 ishte dita kur princat shqiptarë u bashkuan për një qëllim të përbashkët. Duke u nisur nga simboli i kësaj dite, që është bashkimi, çfarë apeli i bëni politikës shqiptare?
Sfida e politikës shqiptare sot është shumë më e thjeshtë se sa ajo kohë. Duhet më shumë përgjegjësi për tu shkëputur nga ambiciet e ngushta politike që sjellin një nervozizëm dhe një ngërç që nuk lejon konkretizimin e atij vullneti politik që e kanë të gjitha forcat politike e populli shqiptar, integrimi në BE. Le të shërbejë si një reflektim për të gjithë, si një apel për të përshpejtuar të gjithë ata hapa dhe vendime që duhet të marrë Parlamenti dhe politika në Shqipëri, që shtojnë besimin te partnerët europianë dhe i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
Mbi baza nacionaliste në jetën politike shqiptare po bëhet e pranishme edhe Aleanca Kuq e Zi. Do jetë vërtet një faktor ajo në zgjedhjet e vitit 2013?
Shqipëria ka nevojë për energji të reja edhe në jetën politike, për të çliruar energji pozitive. Energji që na ndihmojnë për të ndërtuar më mirë çdo gjë, që nga institucionet, që nga besimi tek njëri-tjetri dhe besimi i qytetarit te shteti dhe politika. Unë vlerësoj çdo iniciativë të re, çdo guxim për të sjellë lëvizje të reja në politikën shqiptare, por ato duhet të jenë konstruktive dhe në atë linjë që është i orientuar një objektiv mbarëkombëtar: integrimi europian.
Pak më shumë se një vit na ndan nga zgjedhjet parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2009, koalicioni juaj me PD ishte fitues. Si e shikoni ju të ardhmen e koalicionit PD-LSI në zgjedhjet e vitit 2013?
Për momentin ne duhet të përqendrohemi te plotësimi i këtyre prioriteteve dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, ky do të jetë edhe preokupimi i LSI-së. Nëse vëmendja jonë do të ishte te zgjedhjet e qershorit 2013, shumë nga këto reforma do të vonoheshin dhe kompromentoheshin. Është e domosdoshme të hidhen disa hapa në drejtim të reformës zgjedhore, drejtësisë dhe disa problemeve të tjera që kanë mbetur pezull.
Mund të përkthehet kjo si një angazhim juaji sërish në qeveri?
Angazhimi im është aderimi në Komisionin e Integrimit Europian në Parlament. Ky është tregues i prioritetit kryesor të LSI-së dhe timit personalisht. Angazhimi im në qeveri mendoj se është një çështje që nuk përbën prioritet për mua dhe LSI-në. Ne jemi një forcë, e cila ka marrë përgjegjësinë për të bashkëqeverisur, dhe kolegët tanë punojnë për të përfaqësuar këtë forcë politike me dinjitet dhe profilin e saj.
Së shpejti do të zgjidhet edhe Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Çfarë kushtesh duhet të plotësojë ai? Ka ndonjë emër konkret që LSI-ja mund ta propozojë apo ta mbështesë?
Ne nuk nxitohemi për tu bërë pjesë e një debati të parakohshëm, aq më tepër për ta personalizuar. Më i rëndësishëm është procesi. Ai duhet të jetë kushtetues, transparent, konstruktiv dhe në fund të dalë një President me integritetin e domosdoshëm për të garantuar funksionim e institucioneve në vend, e të jetë një figurë e pranishme dhe e respektuar.
DOJÇE VELLE