E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Luftoni evazionin që të hyni në BE

Takimi me ministrin Bode: Qeveria të delegojë taksa të tjera për vendorët.

Përfaqësuesja e BB, Ksenyia Lvovsky

Evazioni fiskal, edhe pse është ulur akoma, mbetet gati 18 për qind dhe për Bankën Botërore ky është një tregues se lufta e qeverisë ndaj tij duhet të vazhdojë seriozisht. Përfaqësuesja e përhershme e BB në Tiranë, Ksenyia Lvovsky, gjatë fjalës së mbajtur dje në një aktivitet në Bilisht të rrethit Korçë, kujtoi se ulja e informalitetit në ekonomi është një pikë kyçe drejt transformimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit të BE-së. Por, këtë luftë qeverisja qendrore nuk mund ta bëjë e vetme dhe se pjesë e saj duhet të bëhet edhe pushteti vendor. Ka shumë hapësirë për përmirësim, veçanërisht në nivelin e qeverisë vendore. Pa bërë përparim në këtë fushë, shteti, bashkitë, ndërmarrjet publike dhe institucionet e tjera, të cilat varen nga taksat dhe tarifat, nuk mund të përmirësojnë performancën e tyre në ofrimin e shërbimeve kritike sociale për qytetarët, u shpreh Lvovsky. Në fjalën e saj ajo bëri thirrje për më shumë nisma të vendorëve, që i shërbejnë formalizimit të ekonomisë, duke u bërë kështu një aktor aktiv në shërbim të rritjes së transparencës. Një nga gjërat që unë vërej rreth Shqipërisë së sotme është që shumë shpesh pritet tepër shumë nga qeveria qendrore, ndërkohë që shumë pak përgjegjësi ndërmerret në praktikë nga aktorët e tjerë jetësorë ekonomikë komunitetet, bizneset, grupet e përdoruesve dhe qeveritë vendore. Ndryshimi i këtij qëndrimi është themelor për të arritur nivelin e zhvillimit ekonomik, social dhe politik që ky vend, me të drejtë, e aspiron, theksoi përfaqësuesja e BB. I pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishte edhe ministri Ridvan Bode, i cili në fjalën e tij theksoi se do të shihet mundësia e futjes së pullës së sigurisë në procedurat e taksave, duke i shërbyer kështu uljes së evazionit. Bode, nga ana tjetër, ka vlerësuar projektet e mbështetura nga Banka Botërore, të cilat i kanë shërbyer rritjes së transparencës. Takimi i zhvilluar dje në qytetin e Bilishtit erdhi në kuadër të mbylljes së një projekti njëvjeçar i financuar nga BB dhe nga British Council përmes Programit të Panairit të Ideve Krijuese, për një qeverisje të mirë dhe përgjegjshmëri dhe u zbatua nga Agjencia Rajonale për Zhvillim në Korçë.

18 per qind e totalit të veprimeve në ekonomi vlerësohet se janë aktualisht informale, ndërkohë që në vitin 2002 kjo përqindje ishte dukshëm më e lartë, plot 30 për qind.

Leskaj: Bashkëpunim kundër zyrtarëve të korruptuar

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj

Rritja e bashkëpunimit mes institucioneve në shërbim të rritjes së transparencës dhe zbulimit dhe dënimit të korrupsionit janë disa nga qëllimet e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy institucioneve të rëndësishme, si KLSH-ja dhe ILDKP-ja. Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, nënshkroi marrëveshjen së bashku me kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla. Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Leskaj theksoi se kjo marrëveshje do të shërbejë me qëllim efikasitetin në luftën kundër konfliktit të interesave e fshehjes së pasurisë dhe, në përgjithësi, kundër veprimeve abuzive të zyrtarëve me pushtetin publik. Të dy qëmtojmë rastet e praktikave abuzive dhe korruptive të zyrtarëve shtetërorë, që cenojnë interesat ekonomike të shtetit dhe mirëfunksionimin e administratës publike. Të dy u japim rekomandimet e duhura strukturave përkatëse të shtetit për të kthyer mirëfunksionimin e administratës. E kemi të përbashkët qëllimin, që është lufta pa kompromis kundër korrupsionit, konfliktit të interesave dhe për forcimin e shtetit ligjor, tha Leskaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›