Rumania kërkon pakicë në Shqipëri

Shqipërisë i hapet papritur një telash i ri diplomatik. Pas Serbisë, që kërkoi njohjen e statusit të minoritetit etnik të banorëve të zonës së Vrakës në Shkodër, edhe Rumania ka kërkuar një minoritet të sajin në Shqipëri. Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, ka ardhur në kryeqytetin shqiptar për një vizitë njëditore dhe as më pak dhe as më shumë, i ka kërkuar Tiranës zyrtare njohjen e pakicës kombëtare arumune, duke e kthyer Bukureshtin në qendrën nevralgjike të arumunëve (vllehve) që jetojnë në Shqipëri. Basesku, qëndrimin e tij e ka bërë publik në konferencën e shtypit të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Bamir Topi, duke provokuar natyrisht përgjigjen e prerë mohuese të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Presidenti rumun, gjatë takimit që ka pasur kokë më kokë, nuk i ka dhënë nota shumë të forta kërkesës për dhënies e statusit të pakicës etnike aq sa i ka dhënë në konferencën për shtyp, duke hapur diskutimet se kjo çështje bëhet edhe për të fituar konsum të brendshëm në politikën rumune. Gjithsesi, Trajan Basesku ka deklaruar dje në Tiranë se “nga diskutimet që kam pasur me Presidentin, kemi kërkuar dhënien e statutit si minoritet kombëtar të komunitetit arumun në Shqipëri. I kam shpjeguar Presidentit Topi rëndësinë e dhënies së këtij statuti për arumunët për të drejtat e personave, të cilët u përkasin minoriteteve kombëtare, si dhe trajtimi i mirë që i bëhet nga Rumania në përputhje me Kushtetutën e Rumanisë minoritetit shqiptar. Rumania konsideron se arumunët janë shtetas besnikë të shtetit shqiptar, të cilët këtë gjë e kanë dëshmuar përgjatë historisë”. Por duke u mjaftuar me kaq, Presidenti i Rumanisë ka kërkuar rikthimin në pronësi të shtetit rumun të ish-shtëpisë së ushtarakëve, që gjatë kohës së Mbretit Zog është quajtur si “Shtëpia e Jorgos” dhe ka shërbyer si konsullatë e Rumanisë, por që pas vitit 1990 u privatizua dhe është në zotërim të një qytetari nga Saranda. Edhe pas disa proceseve gjyqësore Bukureshti nuk e ka fituar të drejtën e pronësisë, pasi ajo shtëpi u shtetëzua gjatë regjimit komunist.
ReagimiKa qenë e menjëhershme përgjigjja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, duke mos e pranuar në asnjë rast dhënien e statusit të pakicës kombëtare arumunëve. Në deklaratën e tij publike, kreu i shtetit shqiptar theksoi: “Unë, sikurse e thashë atje, po e deklaroj dhe këtu para medias që në Shqipëri, jo vetëm mbi bazën e konstruksionit dhe të kuadrit ligjor shqiptar, por edhe mbi bazën e një realiteti konkret, respekti për çdo qytetar që banon në Republikën e Shqipërisë rezulton i barabartë për të gjithë. Ndërsa në rastin konkret, ky konsiderohet si një komunitet etnogjuhësor, i cili është konfirmuar në dy raporte, në raportin e parë dhe në raportin e fundit të vitit 2007 në Këshillin e Europës, që konfirmon në mënyrë zyrtare minoritetet zyrtare në Shqipëri dhe duke qenë konsekuent i linjave që përshkojnë Këshillin e Europës në dokumentet themeltare të tij, ne vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij pozicioni, por, nga ana tjetër, ju siguroj që respekti për cilindo do të jetë në nivelin më të lartë, qoftë nga pikëpamja legjislative, qoftë nga pikëpamja reale, konkrete”! Në Shqipëri kanë statusin e pakicës zyrtare minoriteti grek që jeton në disa fshatra të Gjirokastrës dhe Sarandës. Në lidhje me minoritetin sllav që banon në Vrakë të Shkodrës, është Mali i Zi, që natyrshëm i cilëson si pakicë malazeze, por ka qenë edhe Beogradi, i cili zyrtarisht ka kërkuar njohjen e pakicës serbe. Këtë e ka bërë të ditur publikisht shefi i diplomacisë serbe, pak muaj më parë në Beograd gjatë vizitës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Ndërkaq, edhe për banorët e Liqenasit në Korçë ka një dualizim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, që i cilëson si pakica përkatëse.
#