Meta: Ne nuk duam të humbasim trenin e radhës drejt BE, të votojmë 3 ligjet

Kreu i LSI prezanton kryesuesin e LSI në Durrës, Lefter Kokën
Lëvizja Socialiste për Integrim në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit organizoi një takim elektoral më mbështetës dhe simpatizantë të kësaj partie në Durrës. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke i falënderuar të gjithë të rinjtë për praninë e tyre deklaroi se LSI është krenare për të rinjtë tanë.
Sipas kreut të LSI Meta ata janë e sotmja e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë dhe këtë do ta tregojnë edhe më 23 qershor.
Lideri i LSI-së deklaroi se të rinjtë dhe të rejat e Durrësit nuk mund të tolerojnë më këto vonesa dhe këtë staniacion në rrugën e integrimit evropian dhe se LSI-ja është distancuar dhe distancohet nga çfarëdolloj konflikti politik që i bëhet barrikadë ecjes më të shpejtë të vendit, drejt integrimit evropian.
“Vetëm përmes bashkëpunimit Durrësi dhe e gjithë Shqipëria do të ecë përpara më shpejt në rrugën e integrimit dhe në rrugën e zhvillimit, sepse ne nuk duam që Shqipëria të vazhdojë të regjistrojë shanse të humbura. Sepse ne nuk duam të humbasim trenin e radhës drejt Bashkimit Evropian, sepse ne nuk duam që vendi të humbasë projekte të tëra dhe financime të cilat do të hapnin mijëra vende pune për të rinjtë në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”, theksoi Meta.
Duke folur para të rinjve durrsakë për çështjen e punësimit Meta theksoi se për LSI-në “Arsimimi për punësim”, është motoja kryesore e LSI-së për sa i takon të gjithë reformës në sistemin arsimor.
Ndër të tjera, Meta u shpreh se LSI është një forcë politike e cila qëndron gjithmonë me këmbë në tokë, e cila është e ndërgjegjshme për vështirësitë e mëdha ekonomike dhe sociale që kanë qytetarët e Shqipërisë, të cilat sipas tij vijnë në një masë të konsiderueshme për shkak të presionit të krizës financiare e ekonomike evropiane apo botërore.
Ai i siguroi të rinjtë se për LSI-në standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër sepse stabiliteti i vendit dhe qetësia e këtyre zgjedhjeve janë shumë të rëndësishme për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se është shumë e rëndësishme politika të mos jetë pengesë për përmirësimin e jetës së qytetarëve por të kontribuojë për shtimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e ekonomisë.
Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u premtoi të rinjve që në listat e LSI-së në zgjedhjet e 23 qershorit do të ketë shumë të rinj dhe të reja të Durrësit por edhe të gjithë Shqipërisë, ndërsa i uroi suksese Lefter Kokës si kryesues i listës për Durrësin. “Në fund do të doja t’u uroja të gjithëve suksese në rritjen e mëtejshme të LRI-së në të gjithë qytetin dhe qarkun e Durrësit , ti uroja suksese kryesuesit të listës sonë në 23 qershor Lefter Kokës dhe të shpreh besimin tim se ne nuk do të kemi një deputet nga qarku i Durrësit në Parlamentin e ardhshëm si Lëvizje Socialiste për Integrim dhe do të kemi në listat tona të rinj dhe të reja të LRI-së jo vetëm në Durrës por në gjithë Shqipërinë dhe në Parlamentin e ri . Rroftë Lëvizja Rinore për Integrim , rroftë populli i mrekullueshëm i Durrësit , rroftë Shqipëria Evropiane”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me të rinjtë e LRI-së në qytetin e Durrësit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë mijëra anëtarë dhe simpatizantë të LRI-së në Durrës, janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 1500 anëtarë të rinj.