“Integrimi europian, kryeçështje e shqiptarëve”

Flet Petrit Vasili, zëvendëskryetari i LSI
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka risjellë edhe një herë në vëmendje procesin e integrimit të vendit dhe stanacionin në të cilën kanë mbetur fati i tre ligjeve në Kuvend. Në një dalje për mediat, nënkryetari i kësaj partie Petrit Vasili apeloi forcat politike të lënë mënjanë llogaritë zgjedhore dhe të gjejnë konsensusin për votimin e tre ligjeve. “Konstatojmë një stanacion të procesit të integrimit dhe një vlerësim minor lidhur me rëndësinë që përmban, po konsiderhohet një argument për një luftë të hapur politike, një argument si gjithë të tjerët dhe elektoral. Tërheqim vëmendjen për vlerësimin e kësaj çështjeje, konsiderimin e saj si një vlerësim madhor dhe vëmendje të shtuar të apeleve shumë të qarta të BE-së dhe SHBA-së. Politika duhet të ulet në tryezë dhe të harrojë për një çast të vetëm 23 Qershorin, të ulen pa vështruar se cili do jetë rezultati zgjedhor dhe të përdorin kohën që kemi në dispozicion për ti dhënë një zgjidhje shumë të shpejtë kësaj çështje”, theksoi ai.
Sipas tij, “Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të investohet më të gjithë fuqitë e veta që kjo çështje të vazhdojë të mbetet kryeçështje e shqiptarëve sepse është i vetmi argument madhor që bën të flasë me një gjuhë Shqipërinë, Brukselin dhe Uashingtonin dhe po këtë gjuhë flasin edhe shqiptarët, dhe ajo do të bëjë gjithçka është në fuqitë, mundësitë dhe kapitalin e saj politik që kjo çështje të marrë një përgjigje sa më parë të jetë e mundur. Ndërsa në lidhje me votimi i tre ligjeve për LSI-në, përveçse një emergjencë për vendin, do të ishte dhe një dëshmi e qartë përballë ndërkombëtarëve të një pjekurie nga ana e klasës politike”.
Sa i përket nismës për referendum të PD-së, Vasili theksoi se një hap i tillë ishte një shprehje vullneti që integrimi duhet të shkojë përpara me çdo kusht, por sipas tij zgjidhja më e drejtë mbetet ajo e gjetjes së konsensusit. “Duhet t’u japim ndërkombëtarëve një provë të pjekurisë politike, si dhe të demonstrojmë që politika flet me zërin e qytetarëve. Iniciativa referendare ishte një shprehje vullneti që integrimi duhet të shkojë përpara me çdo kusht, por ne duhet të arrijmë mirëkuptimin sa më parë në parlament. Duhet të lëmë mënjanë llogaritë politike dhe të mirëkuptohemi në parlament për votimin e tre ligjeve”, theksoi Vasili.