Meta: Në protestë s’do të ketë flamuj partiak, mund të vijë kushdo, mjafton të jetë kundër Ramës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ka uruar mësuesit dhe nxënësit, për një vit sa më produktiv. Sipas tij, brezi i ri është shpresa më e madhe për të ardhmen, ndaj vendi ka nevojë për politika për arsimimin, arsim cilësor, të lidhur me tregun e punës.
“Javën e kaluar dëgjuam deklaratë shokuese nga ministri i Brendshëm, ku shprehej se pa krim nuk ka zhvillim. Një deklaratë e papranueshme nga përfaqësuesi i qeverisë, që ka detyrë të luftojë krimin dhe ndihmuar zhvillimin. Duhet thënë me forcë se pa arsim nuk ka zhvillim, duhet sjellur vetëm një arsim cilësor, me shkolla e kurrikula, me mësues të motivuar dhe paga motivuese. Arsimi do ishte një rrugë e sigurt drejt tregut të punës. Epidemia e shpopullimit nuk do kishte pasur vend në Shqipëri. Duhet të kemi qasje mbështetëse ndaj punonjësve në sistemin tonë arsimor.”- deklaroi Meta.
Ky i fundit u ndal edhe tek protesta që ka paralajmëruar të zhvillojë të martën në inceneratorin e Tiranës. Meta tha se kjo është një protestë ku mund të vijë kushdo, mjafton të jetë kundër Edi Ramës.
“Në Shqipëri korrupsioni dhe mafia kanë vendosur sistemin e tyre. Afera e inceneratorëve është afera më e skandaloze e “kapjes së shtetit për fyti”, e shkatërrimit të interesit publik, vjedhjes së qindra miliona eurove nga persona që janë në kërkim ndërkombëtar. Vetëm një person është në krye të kësaj dhe që ka garantuar mbarëvajtjen e kësaj vjedhjeje. Inceneratorët janë kryeafera e Edi Ramës. Rama ka bërë 14 vendime brenda një ditë, të gjitha të paligjshme, vetëm për ti hapur rrugë kësaj afere. Me firma të falsifikuara qarkullojnë miliona euro. Kjo do jetë protestë e qytetarëve. Shqiptarët duhet të protestojnë çdo ditë e çdo minutë, pasi këtu vidhet përditë dhe po përgatiten vjedhje të tjera. Është detyra e çdo qytetari që ndihet i vjedhur të protestojë dhe të jetë atje. Në këtë manifestim do të jemi të gjithë me flamurin e qytetarisë dhe me asnjë flamur partie apo force politike.”- tha Meta.
/rtsh.al/