Meta: Një problem lokal s’duhet të ndalë integrimin kombëtar

Kreu i LSI Ilir Meta takim me strukturat partiake në Shijak
"Politika duhet t’i japë statusin kandidat shqiptarëve". Ky ka qenë apeli i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në drejtim të klasës politike kur s’kanë mbetur disa orë përpara seancës së sotme parlamentare, ku do të hidhen për votim tre ligjet përcaktuese për fatin e statusit kandidat të vendit tonë në BE. Nga Durrësi gjatë një takimi me strukturat e LSI në Shijak, Meta ka deklaruar se për një problem lokal, nuk duhet ndalur integrimi kombëtar. “Eshtë turp tashmë që për një çështje lokale të pengohet integrimi evropian i vendit. Se ka një problem në Fier, por ka një problem në Durrës, ka dhe një problem në Laç. Politikan është ai që dallon prioritetet që ka vendi, edhe rolin dhe përgjegjësinë që ka forca e tij politike”, deklaroi Meta. Duke u ndalur tek LSI, Meta ka thënë se kjo parti është garanci për një politikë të përgjegjshme. “LSI është një forcë e arsyeshme, është një forcë pozitive dhe me angazhimin dhe me pjesëmarrjen tuaj, unë jam i bindur që ne këtë do ta arrijmë ta tregojmë, ta konfirmojmë në mënyrë akoma dhe më të suksesshme në qershorin e vitit 2013”, theksoi Meta. “Të punojmë për integrimin e Shqipërisë. Duhet të punojmë për të ardhmen”, ka theksuar kreu i LSI-së. Ndër të tjera, Meta theksoi se Shqipëria ka krijuar një marrëdhënie besim me partenërët ndërkombëtarë. “Shqiptarët bëjnë dallimin me vendet e tjera të Ballkanit. U fol për punën e vizave që po të hiqen vizat për shqiptarët, meqë janë 1 milion shqiptarë të varfër, këto do të shkojnë dhe nuk do të kthehen më. Mirëpo çfarë ndodhi? Për serbët dhe për maqedonasit dhe malazezët ishin hequr vizat më përpara. Tani BE-ja thotë që duhet rritur presioni madje duhet parë dhe mundësia për heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit, por nuk ka parasysh Shqipërinë, sepse shqiptarët kanë qenë model. Qytetarët shqiptarë në respektimin e rregullave të Europës. Po të kemi parasysh serbët, vetëm në tetor 2500 serbë kishin kërkuar azil politik në Gjermani dhe shumë vende të tjera”, theksoi ai.