E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk do të ndalojmë së kontestuari Kodin Zgjedhor

Kreu i LSI-së, Ilir Meta një ditë pas daljes nga greva e urisë ka shpallur hapjen e etapës së tyre, në mbrojtje të votës së lirë. Ai ka deklaruar se në mbarë vendin do të fillojnë protestat dhe diskutimet shumëpalëshe me qëllim ndryshimin e atyre pikave të Kodit Zgjedhor që shkelin barazinë midis palëve dhe Kushtetutën 

TIRANË - Një ditë pas grevës së urisë, kreu i LSI-së, Ilir Meta ka deklaruar se partia e tij nuk do të reshtë së kërkuari ndryshim të disa pikave të Kodit Zgjedhor që shkelin kushtetutën dhe lirinë e votës në vend.
Ai ka felenderuar deputetët e tjerë grevistë si dhe gjithë qytetarët që protestuan kundër Kodit Zgjedhor.
Ai nuk e konsideroi grevën një dështim por e quajti atë fazën e parë të një procesi të gjatë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Greva krijoi një sensibilizim të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit, sepse duke qenë një nga grevat më qytetare ajo kërkoi dhe pati mision rivendosjen e standarteve demokratike në zgjedhje dhe përmbushjen e parimeve te OSBE- ODIHR” – tha Meta në deklaratën e tij për mediat.
“Ajo që ndodhi dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nuk na çudit aspak, por veçse na shtoi më shumë argumentet për t’i treguar opinionit publik se marrëveshja e djeshme e dy partive ishte konsensus për të shkelur standartet e konkurrimit të barabartë duke privilegjuar veten e tyre dhe për të diskriminuar forcat e tjera politike në shkelje flagrante të Deklaratës së Kopenhagenit mbi dimensionin human dhe rregullat e konkurimit politik”.

Meta deklaroi gjithashtu se LSI nuk do të lodhet duke kontestuar atë pjesë të Kodit që trajton administrimin e zgjedhjeve, sepse është dëmtuar barazia e palëve përpara zgjedhjeve.

Ai quajti sot të hapur etapën e dytë të përpjekjeve kundër Kodit zgjedhor, etapën e manifestime shumë të fuqishme paqësore brenda dhe jashtë vendit.

 
(O.Zh BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›