E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk e heq foton e Nishanit sepse nuk e gjeta të varur në Kuvend

TIRANË-Kryetari i Kuvendit në një prononcim sot për mediat reagoi mbi vendimin e qeverisë ‘Rama’ për foton e Presidentit në institucionet zyrtare. A duhet të zbatojë vendimin e qeverisë apo jo dhe sa të drejtë e konsideron këtë vendim, Meta theksoi se ai si kryetar i Kuvendit nuk gjeti në zyrën e tij asnjë foto të Nishanit si President të varur në mur. Meta garantoi se në zbatim të Kushtetutës do mbajë në mur foton e Presidentit, por dhe do të vendosë kudo në mure, foton e Ismail Qemalit, ashtu siç kërkon dhe qeveria.

“Po përgjigjem meqë ka pasur interpretime të ndryshme, por faktin që ne duhet të orientohemi drejt vlerave më përbashkuese, që e forcojnë unitetin kombëtar dhe kjo çështje nuk duhet keqkuptuar sipas mendimit tim. Por për të qenë më konkretë me pyetjen tuaj, nuk mund ta heq portretin e Presidentit nga zyra e Kuvendit të Shqipërisë sepse nuk e kam gjetur portretin e tij në këtë zyrë. Por do e vendosim portretin e tij në zyrën e Kuvendit, foton e presidentit në respekt të asaj që përfaqëson Kuvendi dhe të asaj që përfaqëson Kushtetuta ashtu sikundër do vendosim kudo përfaqësuesin e themeluesin e shtetit tonë, Ismail Qemalin, figurë tepër e rëndësishme e shtetit tonë”.

Deklarata u bë pas një takimi që Meta pati me ambasadorin italian, Massimo Gaiani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›