E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Naço takon Llallën: Ndryshime në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme

TIRANË- Në vazhdën e takimeve të ditës së dytë të punës  Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço zhvilloi sot një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. 

Zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë bën me dije, Kryeprokurori Llalla dhe Ministri Naço ndanë mendime për sa i përket nevojës për ndryshime ligjore, konkretisht në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, ndryshimet e nevojshme në Kodin e Proçedurës Penale dhe në Kodin Penal, për të cilat Kryeprokurori dha mbështetjen e tij të plotë. Ministri u shpreh se një bashkëpunim i frytshëm ndërinstitucional do të sillte edhe më shpejt rezultate në fushën e drejtësisë. "Ndryshimet ligjore janë të nevojshme për të mundësuar hetimin e rasteve të korrupsionit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda", theksoi ministri. 

Në fokus të takimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese ishte puna për reformën e Gjykatës Kushtetuese, për të cilën të dy palët dhanë miratimin e tyre. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës Kushtetuese kërkoi një mbështetje më të madhe buxhetore, me qëllim funksionimin sa më të mirë të këtij institucioni. Një nga pikat e diskutimit ishte edhe reformimi i sistemit të drejtësisë, për të cilën ministri u shpreh se reforma legjislative do të jetë gjithëpërfshirëse. Ai theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë për këtë qëllim do të jetë i ngushtë. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›