Meta: Nuk kemi më KQZ, por opozita nuk i braktis zgjedhjet
Intervista
Kreu i LSI-së në Top Story: Biseda me Berishën para largimit
Basha - Raportin më special e kam pasur me z. Berisha, natyrisht dhe me z. Basha kam pasur një komunikim shumë të mirë dhe para se të futej në politikë, por nuk kam pasur ndonjë marrëveshje me të
Berisha - Berisha është një personazh kompleks, ka energji, por varet sesi do i përdorë ato. Ka nevojë për këshilltarë të mirë për të arritur të përmbahet për sa u përket situatave të ndryshme politike
Aleancat - Probabiliteti për të bërë aleancë me PD-në pas zgjedhjeve është zero. Zgjedhja jonë ka një angazhim të qartë, se do të vazhdojë dhe pas zgjedhjeve, cilido të jetë rezultati. PS-LSI është marrëveshje afatgjatë
21 janari - Qëndrimi ynë është i palëkundshëm, që drejtësia duhet të thotë fjalën e saj të fortë për këtë çështje, e pavarur nga politika. Shpresoj se dhe 23 qershori të bëjë që kjo të ndodhë sa më shpejt
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi dje, se në rast se kreu i mazhorancës, Sali Berisha, do ti kishte kërkuar largimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, ai do e bënte atë. Në një intervistë për Top Story, përballë gazetarit Sokol Balla theksoi se ai me Ramën nuk kishin bërë ndonjë marrëveshje për të pasur në KQZ dhe në komisionet e tjera shumicën e anëtarëve. Por, sipas Metës, tashmë situata me PD-në ka shkuar larg dhe kjo parti ka humbur logjikën me ndërhyrjen brutale që bëri në KQZ. Nga ana tjetër, Meta foli dje për raportet e tij politike, me Berishën, Ramën e Lulzim Bashën, si dhe për bindjen se koalicioni i majtë do të fitonte zgjedhjet e 23 qershorit.
Çfarë ndjesie është të riktheheni përsëri në opozitë?
Në politikë kam hyrë si opozitar dhe si një parti opozitare. Kjo ndjesi është e njohur mirë tashmë.
Më kujtohet kur ishim në këtë studio në muajin prill. E habitshme se sa shumë gjëra ndodhin në një vit?
E vërtetë, por ndryshimet më të mëdha nuk kanë ndodhur akoma, do të jenë ato në tre muajt e ardhshëm.
Le ti kthehemi temës së ditës, KQZ-së. Përtej argumentit politik, argumenti i dytë i mazhorancës është ai i pakorrektësive në CV-në e zotit Muho. A mendoni se ishte një gafë naive ajo e mosdeklarimit?
Lidhur me pretendimet e pseudomazhorancës, sepse e tillë është tashmë, mund të them se ka humbur logjikën, kontrollin, arsyen dhe çdo lloj përgjegjësie përpara vendit. Nuk e përtypin dot atë rotacion të domosdoshëm, të pashmangshëm dhe të sigurt. Ajo që ndodhi me minimin e pavarësisë së KQZ-së, ka të bëjë me prishjen e standardit të zgjedhjeve, në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, e në mënyrë të njëanshme. Natyrisht që do të ketë ndikim, por mendoj se në fund do të jetë pozitiv, në drejtimin e një angazhimi më të madh të opozitës dhe të të gjithë shqiptarëve. Në rastin konkret, është një gënjeshtër e madhe preteksti se ky person kishte problem ligjor, është një mashtrim i hapur, që erdhi si reagim pas panikut të një kundërshtimi të gjerë dhe të ashpër për nismën e politizimit ekstrem të KQZ-së dhe gjoja arsyetimit se KQZ-ja është politike, diçka që bien ndesh me përcaktimin e Kushtetutës. Ndaj zotërisë është marrë një masë administrative, kjo është e vërtetë. Për përgjegjësinë e tij të vlerësimit të aktit të një vartësi dhe ky prokuror, që gjithashtu u shkarkua, e fitoi në Gjykatë të Lartë pretendimin e tij. Për rastin e Muhos ka pasur një dekret të Presidentit Moisiu, nuk ka asnjë fshehje, por edhe sikur të ishte kapur me një kundërvajtje të vërtetë, koha e rehabilitimit, e përcaktuar në ligj, ishte shlyer. Qëndrimi i dyfishtë i Partisë Demokratike është i habitshëm, e mund tju them që kryetari i mëparshëm i KQZ-së, i propozuar nga kjo mazhorancë, ka qenë i arrestuar nga Presidenti Berisha dhe madje edhe i dënuar, por edhe për ata që dënohen penalisht ka procedura rehabilitimi, prandaj asnjëherë nuk është përdorur si argument. PD-ja po kalon në një arrogancë të madhe në cenimin e institucioneve, me qëllim që të kontrollojë të gjithë jetën politike dhe ky përbën një shqetësim për demokracinë, standardet europiane që duhet të ketë shoqëria. Jemi në një moment që standardi i zgjedhjeve është dhunuar, por kjo nuk do të pengojë në asnjë mënyrë rotacionin, pasi opozita është e motivuar, e ka mundësitë dhe instrumentet për të mbrojtur fitoren plebishitare.
Përpara se të shkojmë te tema e zgjedhjeve, duhet të pyesim se çfarë do të ndodhë me KQZ-në? PS-ja tha se nuk do të propozojë emra të rinj. A do ta bëjë këtë LSI-ja?
LSI-ja nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. Ne sot nuk kemi një KQZ, nuk është më siç e përcakton Kodi, e pavarur. Nuk është dhunuar vetëm një person, që u hoq në mënyrë të paligjshme, por u dhunua institucioni. Ky ka qenë edhe shkaku i reagimit individual të anëtarëve të tjerë të KQZ-së. Në përpjekjen për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme nuk mund të bëhet lojë edhe opozita.
Po shohim një seri braktisjesh të opozitës, nga KQZ-ja, te zëvendëskryetari i Kuvendit, Nasip Naço, që paraqiti sot dorëheqjen e tij.
Opozita nuk po braktis asgjë, përkundrazi do të shumëfishojë forcat dhe energjitë e saj. Po kështu, opozita nuk kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, por afrimin nëse ka mundësi. Opozita ka çdo kapacitet dhe instrument për të garantuar dhe një votë të vetme, kudo që ndodhet në të gjithë vendin. Sot, të gjithë projektorët brenda dhe jashtë vendit janë fokusuar te Sali Berisha, njeriu që po shkatërron zgjedhjet, njeriu që kujton se vetëm duke pasur kontroll absolut mbi çdo institucion do të imponojë shumica që nuk ekzistojnë, pasi shumica është tjetër. Në të gjitha zgjedhjet PD-ja ka qenë pakicë, e majta është shumicë, pavarësisht historive që të gjithë i dinë shumë mirë. Në qoftë se do, le ta mbajë KQZ-në siç do, le ta bëjë shtatë me zero, siç ka qenë në vitin 1996. Opozita sot është në një start tjetër, është e bindur që të garantojë një rotacion të pashmangshëm dhe të sigurt.
Por, a do të shkojë opozita drejt një braktisjeje të mundshme të zgjedhjeve?
Jo, ju siguroj ama që nuk ka asnjë shans për bojkot të zgjedhjeve. Berisha duhet të gjejë si do të dalë nga kjo situatë, me dinjitet, reflektim apo ndonjë mënyrë tjetër, pasi rezultatin e humbjes nuk e ndryshon dot, as të paguajë me miliona dollarë për Podesta-n, që manipuloi deklaratën e Jonathan Moore, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore, e këto janë fonde që merren nga taksapaguesit.
Ndryshimi do të ndodhë në mënyrën më absolute, nëse Berisha reflekton do ti bëjë një të mirë vendit dhe partisë së tij, pasi ndryshe do të hyjë në trashëgimi si prishës dhe manipulues i zgjedhjeve, e sjelljeve të papërmbajtura që nuk i takojnë një Kryeministri të një vendi anëtar i NATO-s. Mua më vjen keq që ne të konsiderohemi një regjim hibrid si Uganda. Janë gjëra të palogjikshme. Kishte një marrëveshje për kodin, dëshiron një ndryshim? Kërko marrëveshje me PS-në dhe përfshi edhe ata të OSBE-së, bashkëhartues të kodit. Si mund të paraqesësh tri motivacione të ndryshme brenda një seance. Në një vend të zhvilluar europian nuk mund të ndodhë kurrë diçka e tillë? Kjo ndodh si rrjedhojë e një paniku propagandistik, për manipulimin e zgjedhjeve nga opozita, që kjo është një çudi e paparë e ju siguroj që jemi vendi i vetëm në botë që mazhoranca ka frikë nga manipulimi i opozitës.
Megjithatë, duke dashur të gjeni një lloj logjike, duket se lëvizja e mazhorancës në KQZ ka një sens balancimi, sepse kalimi i LSI-së i ndryshoi raportet te KQZ-ja dhe te komisionet e numërimit?
Kjo nuk është gjë tjetër por spekulim. Argumenti i vetëm është ligji. KQZ-ja është institucion kushte