Meta: Opozita të japë kontributin për vizat
“LSI, si forcë qeverisëse në një koalicion për integrim, po tregon gjithnjë e më shumë përmes përfaqësuesve të saj, se është një forcë politike serioze, një forcë politike e cila çdo vendim të saj e bën në funksion të interesave të stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit, të zhvillimit e sidomos të integrimit Europian”, tha Meta gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në Elbasan.Duke u ndalur tek procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, Meta kujtoi arritjet e rëndësishme të vendit në këtë drejtim, në një kohë shumë të shkurtër. Ministri Meta, përshëndeti fqinjët tanë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, të cilët përfituan së fundi nga liberalizimi i vizave në BE, ndërsa siguroi se në Shqipëri kjo do të ndodh në 2010. “Të gjithë do të donim që Shqipëria të kishte përfituar nga liberalizimi me këto vende. Por asnjë nuk duhet të spekullojë, sepse të gjithë e kanë ditur, përpara zgjedhjeve, se Shqipëria nuk do të përfitonte në të njëjtën kohë me tre vendet fqinje, sepse vendimi për to ishte marrë prej kohësh. Këto vende, kërkesën kryesore për liberalizimin e vizave e kishin plotësuar me kohë, siç janë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit”, tha Meta. Zv/kryeministri gjeti rastin t'u bëjë një thirrje qytetarëve shqiptarë që nuk kanë aplikuar për pasaportat biometrike që t’i nënshtrohen këtij procesi, si një kusht për liberalizimin e vizave. “Në këto katër muaj janë prodhuar 300 mijë pasaporta biometrike, një shifër spektakolare për arritjen e standardeve për liberalizimin e vizave”, tha ai. Në të njëjtën kohë, Meta kërkoi që të hiqet dorë nga retorikat “Shqipëria ka mbetur vendi i fundit”, ndërsa shprehu bindjen se gjërat po ecin në drejtimin e duhur.