E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: PS kërkon të kthejë një situatë të acartë politike

Fushë-Krujë Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje se zgjedhjet lokale janë administrative dhe se problemet që duhet të marrin zgjidhje janë të shumta.

”Problemet të cilat kanë të bëjnë që nga përmirësimi i infrastrukturës, ato që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve dhe të çdo qytetari, që kanë të bëjnë me ambientin, kanalizimet, administrimin e mbetjeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me hapësirat e gjelbërta, me këndet për fëmijët sepse gjithmonë e më pak është menduar për to dhe probleme që kanë të bëjnë edhe me shumë probleme të tjera sociale të përditshme, pra kanë të bëjnë me jetën tuaj”, - tha ai. Kryetari i LSI-së shtoi se, ky është një proces normal dhe transparent në marrëdhënie me qytetarin. “Përpjekja për të polarizuar në ekstrem situatën politike në mënyrë artificiale, përmes nxitjes primitive të agresivitetit politik, ju e keni parë edhe në Parlament, ju e keni parë edhe më 21 janar, ashtu siç e shikoni në gjuhën e helmatisur të atyre, të cilët nuk duan t’ia dinë për problemet që duhet të zgjidhë 8 maji. Ata i kishin të gjitha mundësitë që probleme të tilla t’i zgjidhnin gjatë mandatit që ata kishin gjatë këtyre 4 viteve në krye të bashkive më të rëndësishme të vendit. Ata duan të kthejnë në një situatë të acartë politike, një proces i cili u takon qytetarëve sikurse janë zgjedhjet lokale, një proces i cili bëhet për të përmirësuar qeverisjen vendore, i cili bëhet që çdo i zgjedhur në këto 4 vjet, që synon të kandidojë, të dalë me një bilanc të arritjeve të tij në dobi të komunitetit, me një bilanc të realizimit të premtimeve të bëra në shkurt të vitit 2007 dhe mbi bazën e këtij bilanci të kërkojnë një mandat tjetër”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›