E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Partitë dhe KQZ-së të ushtrojnë detyrimet ligjore

Presidenti i Republikës tha se zgjedhjet për administratën vendore janë zgjedhje për t’i shërbyer më mirë qytetarëve

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka përshëndetur dje regjistrimin e Partisë Socialiste pranë KQZ-së, për zgjedhjet e 8 majit. Në një deklarim për mediat, pas takimit “Roli i Akademisë së Shkencave në proceset integruese të Shqipërisë”, të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se partitë politike duhet bëjnë një fushatë të denjë për qytetarët.

“Kam një kënaqësi të veçantë që partitë politike po përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore, për të respektuar datën e zgjedhjeve për pushtetin administrativ, që është data 8 maj dhe mesazhi im është ai që ka qenë vazhdimisht. E ripërsëris: partitë politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të ushtrojnë të gjitha detyrimet e tyre për të bërë një fushatë të denjë për interesat e qytetarëve. Zgjedhjet për administratën vendore, në radhë të parë janë zgjedhje për t’u shërbyer më mirë qytetarëve, sepse është pushteti që është më afër qytetarit. Kështu që unë besoj dhe jam mjaft optimist, që përtej retorikave dhe konfliktualitetit politik, partitë politike duhet të respektojnë institucionin më të rëndësishëm demokratik, që është institucioni i zgjedhjeve, qoftë ky i zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë ky i pushtetit vendor”, - tha dje Topi. Presidenti i Republikës shtoi se, tashmë jemi para zgjedhjeve të pushtetit vendor e për pasojë kjo datë duhet respektuar. “Të krijojmë një klimë të qytetëruar në debatin politik dhe të zhvillohet një debat që të mos shkojë në terma të përgjithshme, por të shkojë pikërisht në ato gjëra, për të cilat ka nevojë qytetari! Të bëjmë të dallueshëm pikërisht pushtetin vendor nga pushteti qendror, sepse ndryshe gjërat kamuflohen, qytetari nuk merr mesazhin e duhur, sepse mesazhet për pushtetin vendor janë shumë të thjeshta. Dikush jeton në fshat, dikush jeton në qytet. Ai që jeton në qytet kërkon rrugë të gjera. Ai që jeton në fshat kërkon një rrugë për të komunikuar, veç shërbimeve të tjera. Pra unë mendoj që është koha e mjaftueshme që institucionet, që partitë politike të bëjnë ç’është e mundur që të krijojnë një klimë të qetë, që qytetari të ketë mundësinë që të shkojë me dëshirë në zgjedhje”, - tha ai. Presidenti i Republikës theksoi se duhet të fitojë ai që i jep më shumë besim qytetarit dhe ai që do të realizojë ato projekte që ka premtuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›