Meta: Përmbytja nga shkaqe natyrore

Kërkesa për dorëheqjen e Priftit: Për qëllime personale
"Opozita po kërkon të përfitojë nga fatkeqësia natyrore"
TIRANË- Zëvendëskryeministri Ilir Meta nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, i është bashkëngjitur qëndrimit zyrtar, duke deklaruar se përmbytjet në veri-perëndim të vendit erdhën nga shkaqe natyrore dhe se opozita me akuzat e saj, po kërkon të përfitojë nga kjo situatë.
Në një konferncë për shtyp, Meta theksoi se përmbytjet në zonën e Nën Shkodrës erdhën si pasojë e reshjeve të shumta dhe se çdo përpjekje për ta përdorur për qëllime politike, nuk bën gjë tjetër veçse shton keqardhjen në një situatë të tillë. Meta vuri në dukje se kaskada e lumit Drin është menazhuar në mënyrë korrekte e bazuar në rregulloren e hidrocentraleve.
"Mua më vjen keq për të gjithë këta, sidomos për ata politikanë të cilët kërkojnë të bëjnë lajme ndërtuar mbi një fatkeqësi natyrore Përsa i takon menaxhimit të kaskdës së Drinit, unë jam i bindur që ajo është menaxhuar në mënyrë më korrekte.
Absolutisht që kjo është një fatkeqësi natyrore, çdo përpjekje për të instrumentalizuar një fatkeqësi të tillë për qëllim politike, absolutisht që shton keqardhjen kur është koha që të gjithë të japin kontributin e tyre për të menaxhuar këtë situatë sa më mirë", - tha dje Meta.
Zëvendëskryeministri doli edhe në mbrojtje të ministrit të Energjetikës Dritan Prifti. Sipas Metës, akuzat ndaj Priftit dhe kërkesa për dorëheqjen e tij, kanë të bëjnë vetëm me qëllime personale. "Ndërsa për akuzat e z. Rama ndaj ministrit të Ekonomisë dhe të Energjisë z. Prifti, të jeni të sigurt ju se edhe sikur të mos ishte fare në qeveri z. Prifti, ata prapë do kërkonin largimin e z. Prifti.
Ai ka obsesion personal, janë arsyet e tyre, por në politikë nuk ecet me opsesione personale", - u shpreh ai. Lidhur me kërkesën e opozitës që qeveria të kompensojë sa më parë çdo familje të përmbytur me para në dorë, Meta u shpreh se deklarata të tilla janë të nxituara dhe sipas tij, opozita po kërkon të përfitojë nga kjo fatëkeqësi natyrore."Mua më vjen keq për deklarata të tilla, tepër të nxituara.
Nxitime të tilla, deklarata të tilla, absolutisht që flasin për një opozitë e cila thjesht kërkon të përfitojë nga një fatkeqësi dhe nuk është kjo rruga për të ecur gjatë në politikë, për të kërkuar fatkeqësitë natyrore si aleanca për të ecur përpara", - nënvizoi Meta.