Vendimi i qeverisë, si verifikohen titujt e pronësisë

Këshilli i Ministrave miratoi dje dy udhëzime që lidhen me mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore
TIRANË - Edhe pse i mbledhur në qytetin e Shkodrës, anëtarët e kabinetit qeveritar, përpos vendimit për ngritjen e komisionit të ndihmës shtetërore, kanë miratuar edhe dy udhëzime të propozuara dje nga Ministri i Shtetit për Reformat, Genc Pollo.
Udhëzimet që kanë marrë firmën e të gjithë anëtarëve të kabinetit lidhen më mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore të ish-NB-ve dhe të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin, si dhe një udhëzim që lidhet me mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, nga komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë, kur këtë e kërkojnë individë apo institucione.
Sipas udhëzimit të djeshëm, për verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, gjatë kontrolleve të drejtpërdrejta, që ushtrohen me nismën e komisioneve vendore të verifikimit të titujve të pronësisë, do të ndiqen disa procedura të mirëpërcaktuara.
Kështu komisioni vendor i verifikimit të titujve të pronësisë, me nismën e vet, ushtron kontrolle të drejtpërdrejta e të plota mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për:
a) sipërfaqet e tokave të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore;
b) sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuara në ligjin nr. 7665, datë 21.1.1993, "Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin", të ndryshuar, dhe nga aktet nënligjore, që kanë dalë në zbatim të tij.
Drejtori i komisionit vendor, në bazë të programit vjetor të miratuar për veprimtaritë e kontrollit dhe verifikimet, përgatit urdhrin e kontrollit, i cili miratohet nga prefekti i qarkut. Drejtori i komisionit vendor, për mbledhjen e dokumentacionit, që do të kontrollohet, përgatit dhe bashkë nënshkruan me prefektin një kërkesë, e cila u drejtohet institucioneve: 1) Zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
2) seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut; 3) Kryetarit të komunës/bashkisë; 4) Seksionit të urbanistikës, në këshillin e qarkut;
5) Zyrës rajonale të Arkivit të Shtetit, ku i kërkohet dokumentacioni që disponon për ndarjen e tokës bujqësore, për sipërfaqen, objekt i kontrollit;
6) Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku i kërkohet të konfirmojë, për përfituesit e tokës bujqësore, qenien apo jo, më 1.8.1991, anëtarë të ish-kooperativës bujqësore, apo më 1.10.1992, punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilët do të kryhet shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore.
Komisioni vendor, pas mbledhjes së dokumentacionit të sipërpërmendur, harton listën e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, të administruara, për këtë sipërfaqe (territor), si dhe fillon procedurën e shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të secilit akt të marrjes së tokës bujqësore në pronësi.
Komisioni vendor është i detyruar që për të gjitha aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilat vendos plotësimin e tyre, të mbajë një regjistër të veçantë.
Në rast se gjatë kontrollit të dokumentacionit për veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, për të gjithë periudhën e funksionimit konstatohen veprime në kundërshtim me ligjin, atëherë komisioni vendor ka përgjegjësi të bëjë kallëzim penal në organet e drejtësisë.
Në përfundim të procesit të verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore hartohet raporti përfundimtar i kontrollit, për sipërfaqen, objekt i kontrollit, një kopje e të cilit i dërgohet sekretariatit teknik për t'u paraqitur në Komisionin Qeveritar të Tokës, së bashku me vendimet përkatëse.
Ndërsa sipas udhëzimit tjetër të miratuar po dje në mesditë nga Këshilli i Ministrave, Komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) kryejnë verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, kur kërkesa paraqitet nga: I) Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
2) seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës. Komisioni vendor pas marrjes së kërkesës dhe të relacionit përkatës, nga institucionet e mësipërme është i detyruar të njoftojë personat, të drejtat dhe interesat e ligjshme të të cilëve mund të preken, si rezultat i veprimeve të ndërmarra gjatë procedimit administrativ, dhe fillon procedurën për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi.
Nëse aktet janë krijuar në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj atëherë ajo vendos pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë dhe i drejtohet gjykatës me kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë së aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, shfuqizimin e tij dhe kthimin e pronës në pronësi të shtetit, në përputhje me nenin 9 e 10, të ligjit të sipërpërmendur.