E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në bregdet, Topi dekreton ligjin

Përpos qëndrimit kundërshtues të Shoqatës "Pronësi me Drejtësi" dhe opozitës, Topi dekretoi dje ligjin "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore"

TIRANË - Ndryshimet e ligjit "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore", morën dje firmën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Ky i fundit ka dekretuar dje ligjin e shumëpërfolur, por edhe aq të kontestuar jo vetëm nga opozita, por edhe Shoqata Pronësi më Drejtësi dhe së fundmi edhe nga vetë banorët që preken nga ky ligj, siç ishte protesta e fundit e organizuar në Orikum.

Në sitin zyrtar të Presidencës thuhet se Presidenti ka dekretuar tashmë ligjin në fjalë edhe pse PS-ja përmes një qëndrimi zyrtar, ashtu si edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", kishin kërkuar publikisht që ky ligj të mos dekretohej nga Topi për shkak të përmbajtjes së saj antikushtetuese.

Kështu, PS-ja pretendon se me zbatimin e një ligji të tillë, jo vetëm që do të kishte shkelje të Kushtetutës, por do të sillte edhe konflikt social mes poseduesve aktual të tokave dhe atyre individëve që do t'i marrin ato si kompensim.

Sipas PS-së, përpjekja e mazhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi këtë kategori tokash me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe rrit ndjeshëm revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët, presin zgjidhjen ligjore të problemit.

Ligji i miratuar nga Kuvendi dhe i firmosur së fundmi edhe nga Presidenti i Republikës parashikon që familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do të duhet të heqin dorë prej tyre, kundrejt një kompensimi.

Gjithashtu, ky ligj sanksionon edhe uljen e masës së kompensimit nga 1500 në 500 metra tokë truall, për të gjithë ato familje që kanë toka të ish-ndërmarrjeve bujqësore në përdorim, qofshin këto në periferitë e qyteteve, fshatrave, apo edhe në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç paraqitet edhe në rastin e banorëve të Orikumit.

Por, një zgjidhje e tillë sipas ish-pronarëve është antidemokratike. Sipas tyre, miratimi i një ligji të tillë është një regres dhe jo progres. Po dje, presidenti Bamir Topi ka miratuar edhe ligjin për disa ndryshime në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar.

Ky ligj parashikon shkrirjen e agjencive të kthimit dhe kompensimit të pronave në qarqe, duke mbetur në funksion vetëm Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kryeqytet.

Megjithatë, edhe kjo agjenci mendohet të minimizoje aktivitetin e saj, pasi të ketë shqyrtuar rreth 8 mijë dosjet brenda 6 muajve të parë të këtij viti. Në sitin zyrtar të Presidencës, njoftohej gjithashtu se Presidenti i Republikës kishte dekretuar edhe një sërë ligjesh të tjera si; ligji "Për akcizat", "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar si dhe disa ligje që lidheshin me ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›