E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Shkodër: Të kompensohet gjithçka

INSPEKTIMI/ Kreu i vendit vizitoi zonat e prekura nga përmbytjet në zonën e Shkodrës, duke kërkuar dëmshpërblimin e tyre

Kreu i shtetit shprehu besimin e tij për kalimin e kësaj situate, me ndihmën e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë

SHKODËR - "Strukturat qendrore dhe strukturat e pushtetit vendor të bëjnë të mundur që gjithçka të kompensohet". Kjo ishte kërkesa e bërë nga presidenti i vendit, Bamir Topi, gjatë ditës së enjte në një takim me banorët e zonave të përmbytura në Shkodër.

Ai u shpreh se besonte që sikurse ishte premtuar nga qeveria, do të kishte një kompesim të drejtë, në mënyrë që të gjithë ata që ishin dëmtuar, t'i ktheheshin jetës normale.

Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ambasdori i BE-së Lohan dhe ai i Spanjës Montobio, inspektoi të enjten zonat e përmbytura teksa takoi banorë të fshatit Obot të komunës Ana e Malit, mbërritja në të cilin u bë përmes varkave me motor, pasi kjo zonë vijon të jetë e rrethuar nga uji, pavarësisht situatës më të mirë të ditës së djeshme dhe motit me diell.

Pas kthimit nga takimi me banorët, presidenti Topi u shpreh se "situata është kapërcyer në drejtim të baseneve dhe dita-ditës po normalizohet dhe nga ajo që u referua dhe u pa me sy, kemi një largim gradual të ujit dhe me masat që po merren dhe kushtet e motit që ka qenë i mirë këto ditë, do të ketë përmirësime".

Kreu i shtetit shprehu besimin e tij për kalimin e kësaj situate, sidomos me ndihmën e ekspertëve vendas, por edhe atyre ndërkombëtare, teksa vijoi se një gjë e tillë do të bënte të mundur ngritjen e projekteve për zonën, në mënyrë që uji të mos rikthehej në një fatkeqësi për Shkodrën.

"Patjetër që kjo zonë do t'i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit dhe unë u bëj thirrje të gjithëve që të vazhdojnë bashkëpunimin, të ketë një evidentim të qartë të të gjitha dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Strukturat qendrore dhe strukturat e pushtetit vendor të bëjnë të mundur që gjithçka të kompensohet dhe jam i bindur që, sikurse është premtuar, të ketë një kompensim real, të drejtë, mbi bazën e një gjykimi profesional dhe të gjithë pastaj t'i kthehen jetës normale, - vijoi presidenti.

Duke e cilësuar vizitën e tij të qëllimshme për t'i dhënë një shtysë investimeve nga partnerët ndërkombëtarë, Topi preku edhe çështjen e riaktivizimit të disa projekteve të lëna në harresë, sikurse ishte "Inter-reg", projekt i disa viteve më parë, në të cilin ishte projektuar që Shqipëria, Mali i Zi dhe Bashkimi Evropian të realizojnë jo vetëm thellimin e Bunës, por edhe një bonifikim të rëndësishëm, substancial të kësaj zone.

Në përfundim të vizitës së tij të punës, Presidenti Topi së bashku me tre ambasadorët u ndal dhe vizitoi lagjen "Ajasëm" të Shkodrës, njërën prej zonave më të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit, ku u prit edhe nga kryebashkiaku Lorenc Luka dhe ku bashkëbisedoi me banorët duke u njohur më nga afër me dëmet dhe problemet e shkaktuara.

Kryqi i Kuq grek, ndihma për Shkodrën
Kapshticë- Kryqi i kuq grek ofron ndihma për zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër. Një kamion me ndihma humanitare në medikamente dhe ushqime kryesisht ka mbërritur gjatë natës së të enjtes në pikën kufitare të Kapshticës.

Ndihmat janë pritur nga prefekti i Korçës, Koço Bello, i cili ka vlerësuar këtë iniciativë që shteti grek dhe në mënyrë të veçantë të Kryqit të Kuq për të mbeshtetur familjet e përmbytura në Shkodër. Një elektropompë për thithjen e ujërave në zonat e dëmtuara nga vërshimet, ka mbërritur, veç të tjerash, në vendkalimin kufitar të Kapshticës, mes ndihmave të tjera humanitare.

Kryqi i Kuq i shtetit fqinj dhe disa institucione kanë akorduar për vendin tonë një sasi ndihmash. Dorëzimi i tyre në Shkodër është bërë nëpërmjet prefekturës së Korçës, teksa pala greke e ka mbyllur misionin e saj në kufi për të mbështetur zonat që po vuajnë pasojat e një përmbytje masive që nuk kish ndodhur kurrë në këto përmasa.

Uidhers: Nis faza e parë e asistencës

Ambasadori i SHBA-së, Uidhers: "Shteti amerikan është përqendruar në këtë situatë dhe nesër (sot) do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës që dëshirojmë të ofrojmë, e cila do të pasohet pastaj me fazën tjetër, që është rikuperimi dhe rihabilitimi i njerëzve që të mund t'i rikthehen jetës normale.

Dëshiroj të them gjithashtu që na ka bërë shumë përshtypje mënyra se si banorët e kanë përballuar këtë situatë dhe dëshirojmë t'i përgëzojmë për të gjitha aftësitë e tyre për të rikuperuar gjithçka. Të gjithë e ndiejmë dhimbjen e tyre në këtë situatë që po kalojnë dhe e përshëndesim kurajën e tyre, me të cilën ata po e administrojnë këtë situatë me të cilën janë të detyruar të përballen".

Lohan: Do të ndihmojmë për rehabilitimin

Ambasori i KE-së, Lohan: Ka qenë shumë e rëndësishme për ne që të shikojmë me sytë tanë situatën në terren.

Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që të shprehë në mënyrë të qartë e të shpejtë solidaritetin, duke dërguar këtu ekipin e ekspertëve, të cilët janë duke ndihmuar autoritetet shqiptare për të parë të gjithë nevojat që kanë, si dhe në pritjen dhe në shpërndarjen e të gjithë të mirave për të cilat ka nevojë komuniteti.

BE dhe shumë vende dhe partnere të tij kanë mundur të tregojnë në mënyrë shumë të shpejtë solidaritetin e tyre duke sjellë jo vetëm produkte ushqimore, por po ashtu dhe sende të tjera, që kanë qenë të nevojshme për popullatën.

Solidariteti i Bashkimit Evropian nuk përfundon këtu. Ne do vazhdojmë ta dëshmojmë të gjithë solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe gjatë fazës së dytë, që është rikuperimi dhe rihabilitimi i zonës. Dhe shpresoj që kjo fazë e dytë të vijë shpejt në mënyrë që të përfundohet faza e parë e emergjencës.

Montabio: BE, solidaritet për situatën

Ambasadori spanjoll, Montobio: Bashkimi Evropian është me ju, komuniteti ndërkombëtar është me ju dhe gjithë ky solidaritet do të përkthehet në ndihmë që do të ofrohet nga Bashkimi Evropian dhe nga partnerët për të gjithë këtë situatë me të cilën jeni duke u përballur.

Dëshiroj të falenderoj gjithashtu shtetin shqiptar dhe autoritetet shqiptare për mënyrën se si kanë koordinuar asistencën dhe për popullin shqiptar për përgjegjesinë që kanë treguar, si dhe median për të gjithë atë profesionalizëm të treguar në pasqyrimin e situatës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›