Meta: Presidenti, jo nga PD. Zgjedhjet e parakohshme, të panevojshme
Meta rikonfirmon paktin me Ramën për president jashtë PD dhe bashkëpunim për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Kjo nënkupton edhe votën e fshehtë në Kuvend për të garantuar zërat ndryshe për presidentin
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp ka bërë të qartë se nuk është dakord me një kandidat nga PD-ja për presidentin e ardhshëm. Sipas tij, presidenti i ri duhet të përfaqësojë interesat kombëtare dhe jo ato partiake. Meta tha po ashtu se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa deklaroi se me PS do bashkojë votat për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe për heqjen e imunitetit, duke zbardhur kështu katër pikat e paktit të tij më Ramën.
Sa shanse ka që LSI të bashkojë votat me PS-në për të zgjedhur një President jashtë vullnetit të shprehur nga Kryeministri Berisha?
Së pari unë dua të theksoj rëndësinë e kuptimit të këtij momenti të rëndësishëm politik në të cilin ndodhet vendi, sidomos në raportet e tij me Bashkimin Europian. Jemi në prag të një hopi cilësor të këtyre marrëdhënieve në rast se do të qëndrojmë të gjithë në lartësinë që kërkon ky moment politik. Ndaj mendoj se është emergjente bashkimi i votave për ti dhënë fund reformës zgjedhore në Parlament sepse koha tashmë pothuajse ka skaduar, për ti dhënë fund reformës parlamentare dhe zgjidhjes së çështjes së imunitetit. Këto kanë qenë edhe tre kërkesa kryesore edhe të Komisionarit për Zgjerimin z. Fule. Njëkohësisht këto kanë qenë edhe tre angazhime të marra nga përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare. Për sa i takon çështjes së Presidentit për mua është shumë e rëndësishme të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ky proces, jo për plotësimin e një vendi i cili lirohet në kohën e duhur por në kuptimin e funksionimit të duhur të një institucioni tepër të rëndësishëm për stabilitetin politik dhe institucional të vendit dhe për vijimin konsensual të reformave, sidomos të atyre në fushën e drejtësisë të cilat e kërkojnë këtë bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës në Parlament, të cilat përbëjnë një element kryesor të kërkesa të BE-së por edhe të Planit të Veprimit të miratuar në mënyrë të përbashkët nga qeveria dhe opozita. Kështu duhet parë i gjithë ky proces.
A do të votoni ju një President i cili do të vijë nga radhët e PD-së ashtu siç ka deklaruar edhe Kryeministri Berisha?
Mendoj se këndvështrimi partiak është i rëndësishëm për të gjithë aktorët pasi nuk mund të injorohen interesat e pjesshme por ato veçori në të cilat ndodhet vendi në këtë moment është e domosdoshme që të prevalojë interesi kombëtar. Një interes shumë më i rëndësishëm dhe shumë më i përgjithshëm se sa interesi i çdo force politike dhe i çdo individi apo politikani. Bëhet fjala për të ndërtuar një proces, i cili duhet të vijojë edhe në të ardhmen sepse unë përmenda tre elementë kryesorë të angazhimeve apo detyrimeve që duhen plotësuar dhe që është theksuar që duhet të plotësohen para fillimit të procesit të zgjedhjes së Presidentit në Parlament por njëkohësisht ka edhe shumë të tjera që vijueshmëria dhe mbarëvajtja e të cilave do të varet shumë nga vazhdimi i reformave dhe i një konsensusi të gjerë edhe pas zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së re. Kështu duhet kuptuar ky proces. Ne kështu e kuptojmë duke qëndruar në lartësinë e duhur politike dhe parimore të kësaj çështje.
A do të jeni ju një kandidat për postin e Presidentit të Republikës?
Unë, duke e mirëkuptuar propozimin e z. Luan Rama dje, do ta ftoja edhe publikisht megjithëse ia kam bërë edhe privatisht që të kandidonte për kryetar të LSI-së meqenëse ka shprehur edhe disa diferenca për sa i takon drejtimit të kësaj force politike.
Kjo do të thotë që ju nuk do të kandidoni?
Kandidimi im i bërë në mënyrë të qartë është ai për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa për një kandidim të mundshëm për postin e Presidentit kemi 30 vite përpara për ta çmuar të gjithë së bashku se kur do të ishte një moment i përshtatshëm nëse do të duhej përsëri për të kontribuar përsëri në vazhdimet e reformave që të vijnë në kohën e duhur.
E përjashtoni çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme meqenëse ka disa fjalë që mund të zhvillohen në vjeshtën e këtij viti?
Zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme sepse duhet patjetër që reforma zgjedhore të përfundojë këto ditë. Ky angazhim duhet mbajtur patjetër sepse ndryshe rrezikojmë shumë në raport me marrjen e statusit të Vendit Kandidat. Përsëri do të duhet kohë që të implementohen ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Njëkohësisht mendoj se energjitë tona tani duhet të përqendrohen te marrja e statusit të Vendit Kandidat, te plotësimi i të gjitha prioriteteve të vendosura qartë nga BE dhe te festimi i 100-vjetori të Pavarësisë. Nuk besoj se një vit është larg për të realizuar zgjedhjet pikërisht në kohën e duhur.
Ka zëra se PD ka nisur të blejë deputetë nga opozita për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Cili është komenti juaj?
Nuk mund të bazohem në ide, informacione apo edhe spekulime për të dhënë vlerësimin tim por unë e theksova se çështja e zgjedhjes apo e zgjidhjes së presidentit duhet parë si një proces politik dhe afatgjatë dhe natyrisht që do të ishte një gabim i madh dhe dritëshkurtësi që të shikohej si një proces ekonomik.
A e kanë ndryshuar ditët e fundit pozicionin e LSI-së për koalicionet në zgjedhjet e vitit 2013?
Lidhur me këtë çështje dua të rikujtoj se z. Luan Rama ka qenë i saktë. Pra, që LSI i qëndron marrëveshjeve të nënshkruara dhe do ti qëndrojë gjithmonë marrëveshje për atë çka parashikojnë këto marrëveshje. Marrëveshja kryesore dhe baza e çdo marrëveshjeje ka qenë dhe do të jetë për integrimin.
Është diskutuar shumë në medie në lidhje me takimin tuaj me z. Edi Rama në Gjirin e Lalëzit. A mund të na zbuloni ndonjë detaj nga ky takim dhe a do tia ktheni ju pozitivisht një ftesë që do të vinte nga z. Rama në shtëpinë e këtij të fundit?
Kam dëgjuar fantazi nga më të ndryshme lidhur me këtë çështje e cila është më shumë e karakterit privat dhe njerëzor dhe jo politik sipas gjykimit apo parametrave të mi. Është hedhur një dyshim i madh se pse kjo darkë është ngrënë natën por ju e dini që darka natën hahet se në mëngjes hahet mëngjesi. Sa i takon pyetjes tuaj më konkrete absolutisht që në qoftë se do të kisha një ftesë për darkë në shtëpinë e tij me kënaqësi do ta pranoja. Nuk kam asnjë hezitim. Ju e dini që unë edhe kur nuk isha i ftuar në dasmë çova buqetën më të bukur.
