E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëri-Mali i Zi në një dekadë, historia e marrëdhënieve ekonomike e tregtare në prag të marrëveshjeve të reja

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtare mes të dy vendeve, duke filluar nga korriku i vitit 2018. Mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive në Shkodër i dha impuls shkëmbimeve tregtare.

Forumi i Biznesit, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Agjencitë e Investimeve të dy vendeve dhe Deklaratë e Përbashkët, shoqëruar edhe shtatë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi/bashkëpunimi, ishin një hap i mirë për një cilësi të re të marrëdhënieve dypalëshe.

Dy vendet bashkëpunojnë në projektet më të rëndësishme, me impakt jo vetëm bilateral, por edhe rajonal si: Autostrada Adriatiko-Joniane, shtimi i pikave kalimtare kufitare, lidhja infrastrukturore mes Velipojës dhe Ulqinit etj. Nxitja e bashkëpunimit në fushën e tregtisë së përbashkët, turizmit, energjisë, transportit, bujqësisë, IT, përpunimit të drurit, tre vite më parë, ka angazhuar rreth 170 përfaqësues të kompanive të të dy vendeve.

Bashkëpunimi me Malin e Zi është përqendruar në zbatimin e marrëveshjeve/protokolleve të nënshkruara ndër vite, si edhe ato të nënshkruara.

Ekspertët kanë theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapësira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, turizmit etj. Bashkëpunimi ekonomik ka ruajtur një trend pozitiv, ndonëse nuk përputhet me nivelin e lartë të dialogut politik. Shkëmbimet tregtare në vitin e fundit kanë qenë në nivelin e 75 milionë dollarëve.

Nga viti 2020 në fund të vitit 2022, eksportet shqiptare drejt Malit të Zi u zgjeruan me rreth 500 %, ndërsa importet, me 523%. Suficiti tregtar me Malin e Zi është rritur me 430% nga viti 2010 deri në 2022.

Gjatë viteve të fundit, volumet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Malit të Zi) janë rritur ndjeshëm, jo më shumë nga lehtësimi i procedurave tregtare, se sa nga nisma private e bizneseve që kanë vlerësuar me leverdi tregtinë afër kufijve, për produkte që më parë i faturonin në vende më të largëta.

Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme tregojnë se gjatë 2022, Shqipëria realizoi mbi 10% të tregtisë me vendet e rajonit nga 6.5% në një dekadë më parë. Që nga viti 2018 e deri në vitin 2022, Shqipëria ka një suficit tregtar sistematik me rajonin. Kjo do të thotë se vlera e mallrave të eksportuara në rajon është më e lartë se vlera e importeve.

/rtsh/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›