E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama ka obsesion personal ndaj dritan Priti

14/01/2010  Zëvëndëskryeministri i përgjigjet kreut të PS-së për akuzat
“Këto fenomene duhet të përballohen me politika afatgjata”
Zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëkohësisht dhe kreu i LSI-së, i ka quajtur “opsesione personale të Ramës” akuzat e ngritura ndaj ministrit të energjetikës Dritan Prifti. Sipas kreut të LSI-së, ato akuza do të hidheshin ndaj Priftit edhe sikur ai të mos ishte fare në qeveri. Meta u shpreh se në politikë nuk ecet me inate personale. “Për akuzat e zotit Rama ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, zotit Prifti, të jeni të sigurt se edhe sikur të mos ishte fare në qeveri, ata prapë do të kërkonin largimin e tij. Ai ka obsesion personal, janë arsyet e tyre, por në politikë nuk ecet me opsesione personale. Mendoj se opozita pa asnjë diskutim duhet të japë kontributin e saj konstruktiv. Së dyti, të japë mbështetje për ekspertët, për specialistët, që të zbatojnë detyrat e tyre, ashtu sikurse mendoj se është e rëndësishme që këto fenomene ne t’i përballojmë me politika më afatgjata në të ardhmen, të cilat pa dyshim do ta vënë qarku e Shkodrës në qendër të prioriteteve të kësaj qeverie, por besoj dhe qeverive të ardhshme”, - tha Meta. Nga ana tjetër, kreu I LSI-së u shpreh se nuk mund të bëhet politikë duke u bazuar në fatkeqësitë natyrore që bien në kurriz të popullatës. “Nxitime të tilla, deklarata të tilla, sigurisht flasin për një opozitë që thjesht kërkon të përfitojë nga një fatkeqësi. Por nuk është kjo rruga për të ecur gjatë në politikë”, - theksoi Meta.
Menaxhimi
“Për sa i takon menaxhimit të kaskadës së Drinit unë jam i bindur se ajo është menaxhuar në mënyrë më korrekte dhe profesionale, bazuar në ligjin dhe rregulloren mbi të cilat funksionon menaxhimi i këtyre hidrocentraleve dhe i kaskadës dhe i sistemit tonë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›