E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhen paratë dhe ndihmat për të përmbyturit

14/01/2010  Çdo qark kontributin e tij
Mëngjesin e së mërkurës, qarku i Korçës nisi drejt Shkodrës dhe Lezhës ndihmat e para për banorët e zonave të përmbytura në këto qarqe. Në dhënien e ndihmave u përfshinë Këshilli i Qarkut Korçë, komunat e këtij qarku, Drejtoria rajonale e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit si dhe disa biznese. Ndërkohë komunat e qarkut Korçë dhanë një ndihmë financiare prej 2.3 milionë lekësh. Ndërkohë Bashkia e Beratit ka bërë dje thirrje solidarizimi për mbledhjen e ndihmave për familjet e përmbytura në Shkodër. “Unë jap pagën time mujore, e cila do të derdhet në llogarinë e hapur në një prej pagave të qytetit”, tha kryebashkiaku Fadil Nasufi. Po kështu komuna Bradashesh ka qenë e para që ka mbledhur këshillin në një kohë rekord duke miratuar një fond prej 10 mijë eurosh për zonat e përmbytura. Gjithashtu nismës i janë bashkuar edhe nëpunës të administratës, arsimtarë, biznesmenë, banorë të zonës etj. Prej tyre pritet të mblidhen 5 milionë lekë të vjetra. E njëjta komunë do të dërgojë në Shkodër dhe Lezhë 10 ton ushqime e veshmbathje. Të parët banorë të shpërngulur nga zonat e përmbytjes në Shkodër dhe të vendosur në Plazhin e Durrësit janë vizituar nga kryetari i bashkisë. Vangjush Dako ka afruar ndihma ushqimore dhe veshmbathje për banorët që janë sistemuar në një hotel pranë Urës së Dajlanit. Janë 6 familje që kanë ardhur nga disa zona të përmbytura që janë strehuar në njërin nga hotelet e plazhit të Durrësit. Pikërisht në këtë hotel ka shkuar edhe kryebashkiaku Dako, i cili pasi u ka shpërndarë banorëve ndihmat u ka shprehur atyre edhe mbështetjen maksimale të Bashkisë së Durrësit, si dhe u ka premtuar se do të jetë pranë tyre në këto ditë të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›