Kasat fiskale, afati për biznesin e vogël
14/01/2010 Administrata tatimore vijon gjobat për ata që nuk zbatojnë ligjin
Mbyllet brenda tremujorit të parë, më pas fillojnë sanksionet
Brenda tre muajve të parë të këtij viti biznesi i vogël do të pajiset me kasat fiskale. Rregullat dhe procedurat e instalimit dhe të përdorimit të pajisjeve fiskale janë njëlloj të zbatueshme si për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për tatimpaguesit e biznesit të vogël. Administrata tatimore do të vijojë me gjobat për bizneset e mëdha që nuk janë pajisur ende me pajisjet fiskale dhe më pas do të nisë kontrollet te bizneset e vogla. Sipas ligjit për pajisjet fiskale brenda periudhës qershor 2010, do të pajisen me kasa personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati, janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet pajisjeve fiskale edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat: Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil. Ndërsa brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë të biznesit të vogël duhet ta përfundojnë këtë proces. Nuk janë të detyruar të përdorin regjistruesin elektronik fiskal, sipas kërkesave të këtij vendimi, profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit, të përcaktuara në aneksin nr. 5 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore". Sipas burimeve zyrtare të administratës tatimore ka vijuar vendosja e gjobave për ato subjekte të biznesit të madh që nuk janë pajisur me pajisjet fiskale.