Meta-Rama, shtrëngim duarsh pa paqe
Në kulmin e krizës politike, Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë dhuruar publikut një shtrëngim të ftohtë duarsh. Njëri më këmbë dhe tjetri i ulur, miqtë e dikurshëm dhe armiqtë e rinj duket se kanë kryer një ritual të pashmangshëm. Ata ishin të pranishëm dje në seminarin "Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut". Kreu i opozitës mbërriti i pari në sallë teksa u pasua nga kreu i LSI-së, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Pasi shtrëngoi duart me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe ata të feve të ndryshme, Meta ju drejtua kreut të opozitës, duke i zgjatur dorën. Zgjatja e dorës nga ana e ministrit të Jashtëm duket se e ka befasuar Ramën, situatë që lideri i opozitës nuk mundi ta fshehë. Ky ishte i vetmi komunikim mes dy liderëve të së majtës edhe pse për shumë minuta ishin të ulur në një tavolinë. Shtrëngimi i duarve mes tyre nuk mund të anashkalohej nga faktorët asnjanës, të cilët nxituan që të kërkojnë takime të tilla edhe për zgjidhjen e krizës politike. Presidenti Bamir Topi vlerësoi se një shtrëngim duarsh duhet të shkojë më tepër se një moment formal. "Shtrëngimi i duarve është një moment formal, i domosdoshëm, por çështja duhet të shkojë më tej se sa ana përfaqësore, duhet të shkojë në substancë dhe kjo është në konstitucionin shpirtëror të çdo njeriu", tha Topi. I pyetur pse nuk munden dot politikanët të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, Presidenti Topi theksoi se "duhet të pyesni dhe aktorët e politikës, sepse unë nuk mund të jem supervizor për gjithçka". Një përshëndetje e tillë, qoftë edhe për kortezi, la përshtypje edhe tek ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Ai gjeti rastin të kërkojë një shtysë më shumë, një tryezë mes aktorëve politikë për të zgjidhur krizën. "Mendoj se kjo ishte një iniciativë shumë e mirë. Të flasësh me njëri-tjetrin është gjithnjë shumë mirë, veçanërisht në këtë rast, kur bëhet fjalë për dialogun ndërfetar. Por edhe për dialogun politik mund të ndiqet i njëjti shembull. Fakti që zoti Meta dhe zoti Rama u ulën në një tryezë, është një hap i parë shumë i rëndësishëm. Por do të ishte akoma më mirë që të kishte të tjera tryeza të rrumbullakëta si kjo, për të kapërcyer vështirësitë e momentit", tha Bosch. Të pranishmit morën fjalën në takimin me temë "Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut", të organizuar nga fondacioni "Anna Lindh", i përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Andre Klaret, në bashkëpunim me Forumin shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, i përfaqësuar nga presidenti i këtij forumi, Besnik Mustafaj. Presidenti Bamir Topi, ministri i Jashtëm Ilir Meta, kreu i opozitës Edi Rama dhe të pranishëm të tjerë ranë dakord njëzëri se Shqipëria është një rast unik i bashkëjetesës fetare në botë. "Të shohin nga Shqipëria të gjithë ata që pesha e së kaluarës i bën që të jenë refraktarë ndaj harmonisë, dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar si dhe ato vende, ku nga lëvizjet migratore, krijohen realitete dhe prezenca të ndryshme nga ato të vendit. Studimi i arealit fetar shqiptar është një shans dhe zgjidhje njëkohësisht për bashkekzistencën fetare", theksoi Presidenti Topi. Sakaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria është një vend i angazhuar për nxitjen e paqes në botë. "Si anëtar i Grupit të Miqve, Shqipëria ka qenë dhe mbetet e angazhuar në veprimtarinë e OKB-së për ta kthyer Aleancën e Qytetërimeve në një mekanizëm efektiv për nxitjen e kulturës së vërtetë të paqes, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit reciprok ndërmjet popujve dhe qytetërimeve", tha ai. Kreu i opozitës kujtoi dëmin që i bëri diktatura komuniste besimit fetar në Shqipëri. "Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është një vlerë për të gjithë kombin. Bashkëjetesa fetare e ka zanafillën e saj ndër shekuj. Periudha komuniste luftoi besimet fetare për të rrënjosur idealet komuniste dhe çdo konflikt që bëhet në emër të fesë është ofendim", deklaroi ai.