E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: Goli? Rëndësi kanë vetëm tri pikët

Hamdi Salihi vazhdon ta justifikojë besimin e trajnerit Pakult te Rapidi. Të dielën, sulmuesi i Kombëtares realizoi njërin prej golave në fitoren 4-0 me Matersburgun. Kjo ishte rrjeta e tij e shtatë në 12 takime me skuadrën vjeneze, me mesataren e admirueshme 0.58 gola për ndeshje. Por, për 25-vjeçarin, më shumë sesa goli, rëndësi ka fakti që skuadra mori tri pikët dhe hodhi pas shpine humbjen 5-1 me Hapoel Tel Avivin. "Një javë më parë, në sfidën kundër Shturmit të Gracit gjyqtari më anuloi një gol pa të drejtë, ka edhe ditë pa fat", tha Salihi. "Kundër Matersburgut dëshiroja të shënoja, por nuk ishte ky objektivi kryesor. Doja të ndihmoja skuadrën që të fitonte tri pikët dhe të mbante hapin e kryesuesve, pak rëndësi kishte nëse autori i golit isha unë apo dikush tjetër. Duhej të fitonim për të treguar se humbja e thellë në Tel Aviv ishte aksidentale dhe ia arritëm qëllimit". Salihi i ka mahnitur të gjithë me integrimin e shpejtë në skuadër: "Të gjithë më pritën në mënyrë të përsosur, Rapidi është një skuadër profesioniste dhe kjo më ndihmoi që të mos kisha probleme me përshtatjen në skema dhe në lojë. Kur ndryshon skuadër, gjëja më e rëndësishme për një sulmues është të shënojë me vazhdimësi".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›