E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Raporti i Dick Martyt bazohet vetëm në fiksime

“Vizita ime në Serbi, me ftesë të Tadiçit”. “Gati nënshkrimi i 11 marrëveshjeve të bashkëpunimit”

Raporti i eurodeputetit zviceran Dick Marty është plot paragjykime dhe një raport i bazuar mbi fiksime. Kështu pohoi nga Serbia zëvendëskryeministri Ilir Meta. Ai thekson se është më se evidente se akuza të tilla janë bërë edhe në të kaluarën, madje janë bërë edhe hetime dhe kanë rezultuar tërësisht pa fakte. Kjo temë, ishte në qendër të takimeve të numrit dy të qeverisë, ku gjithashtu është folur për të ardhmen e përbashkët të Serbisë dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për trajtimin e të gjitha çështjeve problematike në frymë evropiane. Numri dy i qeverisë, njëherësh ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjatë qëndrimit në Beograd në kuadër të pjesëmarrjes në Kongresin XIV të Partisë Demokratike të Presidentit Boris Tadiç, u prit në takime të veçanta nga Kryeministri i Serbisë Cvetkoviç, zëvendëskryeministri dhe ministri i Integrimit Evropian Xheliç dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiç. Në lidhje me qëndrimin për Kosovën, palët ndanë mendime të ndryshme, por njëkohësisht ranë dakord që e ardhmja e të gjithë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian.

Meta

“Qëndrimi im ka qenë shumë i qartë, që ky raport është plot paragjykime, është një raport i bazuar mbi fiksime, pasi është më se evidente se akuza të tilla janë bërë dhe në të kaluarën, madje janë bërë edhe investigime dhe kanë rezultuar tërësisht pa fakte, ndaj besoj se masazhi kryesor dhe i kësaj vizite është përqendrimi drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian dhe për trajtimin e të gjitha çështjeve problematike në frymë evropiane”, - deklaron Meta nga Serbia lidhur me raportin e eurodeputeti zviceran. Ai shtoi se në takimet e tij “është përmendur ky raport, por thekson ai, në mënyrë konstruktive”. Lidhur me vizitën dhe Serbi, zëvendëskryeministri tha se ndodhej atje me ftesë të Presidentit Tadiç, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Demokratike për të marrë pjesë në kongresin e kësaj partie, por natyrisht edhe për t’u takuar me përfaqësues të tjerë të kësaj force politike, por edhe të qeverise dhe të shtetit. “Gjatë këtyre dy ditëve jam takuar me Presidentin Tadiç, jam takuar me Kryeministrin Cvetkoviç me zv.kryeministrat Djeliç dhe Datiç dhe kemi zhvilluar takime pikërisht në frymën e bashkëpunimit gjithnjë e më të gjerë midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe për të forcuar akoma më tej sidomos bashkëpunimin në kuadrin e integrimit evropian”, - sqaroi ai. Lidhur me qëndrimet serbe ndaj shqiptarëve, ai pohoi se ka zhvillime pozitive. Meta kujtoi se Shqipëria hoqi vizat për qytetarët e Serbisë pak javë më parë, edhe Serbia hoqi vizat për qytetarët e Shqipërisë. Njëkohësisht, gjatë kësaj kohe është krijuar këshilli për pakicat e shqiptarëve në Serbi si dhe janë në diskutim plot 11 marrëveshje. “Vizita të ndryshme janë shkëmbyer të ministrave të ndryshëm nga Serbia në Shqipëri apo nga Shqipëria në Serbi. Shpresojmë që shumë shpejt edhe 11 marrëveshje që janë në proces, të nënshkruhen dhe bashkëpunimi të jetë gjithnjë e më i hapur”, - deklaroi ai. Meta sqaroi se fushat e bashkëpunimit me Serbinë do të jenë të gjithanshme jo vetëm në nivel politik, por edhe ekonomik dhe tregtar, në fushën e arsimit, kulturës, sportit etj. Lidhur me qëndrimin për Kosovën, numri dy i qeverisë theksoi se Shqipëria vijon të ndajë qëndrim të ndryshëm nga Serbia. “Qëndrimi i Shqipërisë është i paekuivok, Kosova si një shtet i ri dhe i pavarur i njohur në mënyrë jashtëzakonisht të konsiderueshme pothuajse nga shumica dërrmuese e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s natyrisht që duhet të eci përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim ne shpresojmë që edhe dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të zhvillohet në këtë frymë, në mënyrë që edhe Serbia, edhe Kosova të kenë vendin e tyre në Bashkimin Evropian”, - përfundoi ai.

Deputetët shqiptarë në KiE: Nuk morëm ftesë për mbledhjen

Vota e Shqipërisë mungoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u votua raporti i Dick Martyt kundër Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Dy deputetët anëtarë të KiE-së, Damian Gjiknuri dhe Shpëtim Idrizi, kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni në lidhje me këtë mbledhje të komisionit. Nga ana tjetër, edhe deputeti Ilir Rusmali, që kryeson delegacionin e deputetëve shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka pohuar publikisht se nuk ka pasur dijeni. Sipas deputetëve, njoftimi duhet të kishte ardhur nga Këshilli i Evropës. Deputeti Shpëtim Idrizi, përveçse është anëtar i Komisionit të Ligjeve, është edhe anëtar i të njëjtit grup parlamentar ku bën pjesë deputeti zviceran Dick Marty, raporti i të cilit shërbeu si bazë për projekt-rezolutën e Komisionit të Ligjeve.

Raporti i Dick Martyt, Haxhinasto: Akuza kundër paqes në rajon

Raporte si ai i Dick Martyt nuk duhet të paraqiten më. Kështu ritheksoi përsëri dje ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Ai shtoi se akuzat për trafik organesh Shqipëri-Kosovë të paraqitura në raportin e Dick Martyt nuk kontribuojnë aspak në paqen dhe integrimin e rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian. I pyetur nga media për vizitën e zv.kryeministrit Ilir Meta në Serbi, në kushtet kur Shqipëria dhe Kosova akuzohen nga Dick Marty për trafik organesh, Haxhinasto u shpreh se vizita e Metës në kongresin e PD-së në Serbi, me ftesë të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, ishte shumë e rëndësishme.

“Nga Serbia, Meta ka shprehur mesazhe tepër të rëndësishme, duke kërkuar që raporte të tilla, si ai i Dick Martyt, të mos paraqiten më, pasi nuk kontribuojnë në paqtimin e kombeve tona dhe ndikojnë negativisht në integrimin e Ballkanit në BE”, - tha Haxhinasto. Pak ditë më parë, Dick Marty, anëtari për çështjet ligjore dhe të drejtat e njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, prezantoi raportin e tij, ku thuhej se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për përfshirje të tij dhe pjesëtarëve të ish-UÇK-së në trafikim me organet njerëzore. Pas këtij raporti politika shqiptare ka reaguar ashpër. “Raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit te Evropës, Dick Marty, është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Evropës”, - theksohet në qëndrimin zyrtar të Kryeministrit Berisha. Edhe Kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se eurodeputeti nuk dha asnjë fakt për atë çka ka shkruar, ndërkohë që dy ditë më parë, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, thirri në një takim ambasadoren e Zvicrës, znj. Ivana Enzler, lidhur me deklarimin e ambasadores zvicerane në Argjentinë, Carla del Ponte, për raportin e Dick Martyt për trafikimin e organeve në Kosovë. Ministri i tha ambasadores Enzler se deklaratat e ish-prokurores së Hagës, Del Ponte, janë të papranueshme dhe shtrembërojnë realitetin. Haxhinasto përmendi hetimet e kryera në vitin 2003 për akuzat për trafikim të organeve njerëzore, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë. Në përgjigje, ambasadorja zvicerane siguroi ministrin Haxhinasto se pikëpamjet e shprehura nga zonja Del Ponte janë pikëpamjet e saj personale dhe nuk shprehin aspak qëndrimin apo pikëpamjet e qeverisë së Zvicrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›