PS, Xhaçka: TVSH-ja e ilaçeve rëndon gjendjen e shtresave në nevojë
Partia Socialiste u shpreh ditën e djeshme kundër vendimit të qeverisë për të futur barnat në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, përfshirja e TVSH-së në disa ilaçe ka rënduar edhe më familjet e varfra, edhe pse, sipas qeverisë, kjo skemë e re e taksimit të barnave është vendosur kundër grosistëve. “Futja e ilaçeve në skemën e TVSH-së do të rëndojë edhe më tej shtresat në nevojë të shoqërisë shqiptare, siç janë pensionistët, të papunët dhe dhjetëra mijëra familje shqiptare që vuajnë pasojat e krizës së rëndë ekonomike ku është zhytur vendi. Ky është një dështim i Sali Berishës, pasojat e të cilit nuk do t’i vuajë Sali Berisha dhe oborri i tij, por vetëm qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”, - pretendoi deputetja e PS-së, Olta Xhaçka. Kështu, socialistët e kanë cilësuar këtë skemë si jo të drejtë dhe, sipas tyre, ajo i shtohet korrupsionit që ka kapur sistemin shëndetësor. Ndërkohë, pak ditë më parë, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka thënë se skema e taksimit të barnave do të ketë efekt tek grosistët dhe jo tek qytetarët. Bode garantoi se Ministria e Financave dhe institucione të tjera do të mbajnë në mbikëqyrje çmimin e ilaçeve, duke ndëshkuar në çdo rast abuzimet.