E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama - Meta “kryqëzojnë” Berishën për çështjen “Sefgjini”

Kreu i PS-së: “Kryeministri po kthehet në mburojë të akuzuarve për vrasje”. LSI: Berisha i korruptuar, të mos kërcënojë pushtetin gjyqësor

Shaban Sulçe

Kryeministri Berisha është përballur dje me deklaratat sulmuese të dy liderëve të së majtës, Edi Rama dhe Ilir Meta. Sulmet ndaj pushtetit gjyqësor dhe veçanërisht ndaj Gjykatës Kushtetuese, niveli i lartë i korrupsionit dhe mbrojtja ndaj kryetatimorit të akuzuar për vrasje, Arben Sefgjini, kanë qenë disa nga çështjet që kanë sjellë reagimin e ashpër të krerëve të opozitës ndaj shefit të qeverisë, Sali Berisha. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka akuzuar kryeministrin Berisha se është kthyer në mburojë publike dhe politike e të akuzuarit për vrasje, drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Ndërkohë, lideri i LSI-së, Ilir Meta, tha se Berisha, në vend që të ishte vënë përpara përgjegjësisë si shkaktari kryesor i tragjedisë së Gërdecit, është kthyer në rrezik dhe kërcënim për gjykatat e vendit. Meta akuzoi gjithashtu Berishën se jo vetëm që ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe se me antireformat që ka kryer është kthyer në pengesë jo vetëm të demokracisë në Shqipëri, por edhe të proceseve integruese të saj.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje shqetësimin e Partisë Socialiste për qëndrimin e pajustifikueshëm të kryeministrit Berisha, i cili deklaroi se nuk do ta shkarkonte nga detyra kreun e Tatimeve, Arben Sefgjini, edhe pse ai është i akuzuar për vrasjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Rama tha se Berisha është kthyer në mburojë publike dhe politike për një person të akuzuar për vrasje, ndërkohë që kryetari i PS-së kërkoi nga kryeministri që të shkarkojë nga detyra kreun e tatimeve. “Ky qëndrim në kundërshtim flagrant me etikën shtetërore e qeverisëse hedh një hije shumë shqetësuese dyshimi mbi arsyet që ka Kryeministri i Shqipërisë për t'u bërë mburoja e një njeriu të akuzuar për pjesëmarrje në një krim të organizuar nga shteti në kohën kur Sali Berisha ishte President i Republikës. Detyra dhe funksioni publik i Kryeministrit është të jetë në anën e atyre që luftojnë krimin dhe jo në anën e krimit. Në emër të kësaj detyre e të këtij funksioni i bëj thirrje kryetarit të qeverisë të kryejë një orë e më parë aktin formal të shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve si edhe të distancohet publikisht nga vrasja e të ndjerit Remzi Hoxha dhe po publikisht të inkurajojë zbardhjen deri në fund të kësaj enigme që rëndon në ndërgjegjen e shtetit shqiptar”, - tha Rama.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se qytetari Sali Berisha, në vend që të ishte sot i pandehur i Prokurorisë dhe përpara Gjykatës për t’u përgjigjur si kryefajtori i krimit shtetëror të Gerdecit, përkundrazi, po kërcënon dhe sfidon gjykatat e vendit, duke mos shkarkuar një drejtor të besuar të tij të pandehur, që akuzohet për vrasje. “Arroganca e jashtëzakonshme e Berishës ndaj pushtetit të pavarur gjyqësor, vjen menjëherë pas goditjes dhe shkatërrimit që ai i dha parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit, me ndryshimet Kushtetuese që realizoi në natën e 21 prillit; vjen pas tërbimit të tij pas vizitën e dështuar në Bruksel, ku i shkulën veshin për premtimet e pambajtura për reforma, duke i bërë të qartë se për të nuk ka asnjë datë për hapa të mëtejshëm drejt procesit integrues, pasi të gjithë po e kuptojnë se Sali Berisha mund të bëjë vetëm antireforma”, - u shpreh Meta, i cili e akuzoi Berishën se është kthyer gjithashtu në pengesë për zhvillimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese. Meta tha se kryeministri Berisha nuk mund t’u hedhë hi syve ndërkombëtarëve për “suksesin” e antikorrupsionit të tij. Kryetari i LSI-së përshëndeti deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers, përsa i përket kufizimit të imuniteteve, ndërkohë që akuzoi deputetët që ndryshuan Kushtetutën, se kanë frikë nga kufizimi i imuniteteve përderisa nuk e ndryshuan Kushtetutën edhe për këtë çështje.
“Dua t’ju bëj një pyetje të gjithë juve dhe atyre që vunë dorë në Kushtetutë për të shkatërruar principet më demokratike të saj, se përse nuk e ndryshuan ata Kushtetutën për heqjen e imunitetit të politikanëve dhe të zyrtarëve të lartë kur ishin të interesuar për të bërë një reformë Kushtetuese që do të luftonte edhe korrupsionin? Përgjigjja është e thjeshtë, sepse Kushtetuta e Gërdecit që u bë në natën e 21 prillit nuk u bë për të luftuar korrupsionin, por u bë për të mbyllur Gërdecin dhe për të konsoliduar republikën e korrupsionit të Sali Berishës”, - tha Meta.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›