E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Shkëlqimi ekonomik ekziston vetëm në fjalimet e Berishës

metaaaKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nuk ka ndërmend që të ndalë sulmet ndaj qeverisë, duke e akuzuar për situatën e vështirë ekonomike në vend.

Që të kuptohemi, është ai njeri që ka qeverisur këto katër vite bashkë me Berishën, katër vite që janë vlerësuar si më të këqijtë në ekonominë shqiptare në postkomunizëm.

Meta tha në Kombinat se shkëlqimi ekonomik ekziston vetëm në fjalimet e Sali Berishës.

Shkëlqimi i ekonomisë ekziston vetëm në fjalimet euforike të kryeministrit aktual. Ndërkohë që, borxhet e qeverisë ndaj biznesit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Rreth 300 milion dollarë punë publike të kompanive të ndryshme që nuk janë paguar nga qeveria, ndërkohë që kompanitë paguajnë interesa nëpër banka dhe rritet numri i kredive të këqija. Rreth 200 milion euro borxh i qeverisë si mungesë rimbursimi për TVSH-në për bizneset dhe të gjitha këto rëndojnë mbi qytetarët, rëndojnë mbi konsumatorët, godasin fuqinë blerëse, tkurrin investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Prandaj duhet një ndryshim që të mos flasim për ekonominë virtuale por të flasim për ekonominë reale, për atë që ndjen çdo shqiptar dhe çdo qytetar i Kombinatit sot në familjen e tij. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dje dha alarmin në emër të gjithë bizneseve për këtë krizë në të cilën ndodhet biznesi dhe kompanitë vendase, të imponuar nga sjellja e papërgjegjshme e qeverisë. Jo vetëm kaq, por edhe nga dëshira për të manipuluar këtë të vërtetë dhe për tiu shmangur dialogut me këtë komunitet për të zgjidhur këto probleme shumë të mëdha, këto borxhe shumë të mëdha që rrezikojnë të degradojnë më tej situatën ekonomike në vend. Ndaj është koha për një ndryshim dhe për një rotacion, tha Meta.

Kreu i LSI tha se shpreson se Berisha do të mbajë fjalën dhe do të votojë tre ligjet, ashtu siç propozoi vetë Meta pak ditë më parë.

LSI do kandidojë në zonën e Kombinatit të Tiranës me Ardit Çelën.

LSI është një forcë e cila e ndjek dinamikën e gjithë zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend dhe e cila gjithmonë di të pozicionohet në funksion të së ardhmes dhe në funksion të interesit publik. Do të ishte shumë më komode për LSI-në për të vazhduar të ishte pjesë e qeverisë, që përfaqësuesit e saj të ishin në situatë komode, që anëtarët dhe simpatizantët e saj të mos hiqeshin nga puna, edhe kur janë thjesht shoferë apo sanitarë, thjesht si hakmarrje politike ndaj LSI-së.  Por LSI nuk pa thjesht interesin e ngushtë të saj  dhe thjesht të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. LSI e mori këtë vendim duke parë një interes shumë më të madh të të gjithë vendit, duke parë një interes po kështu shumë më afatgjatë për të gjithë shqiptarët por edhe për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj. 23 qershori do të jetë një ditë e një fitoreje plebishitare të koalicionit opozitar i cili është koalicioni më i gjerë gjatë këtyre viteve, tha Meta./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›