Shekulli thotë se Leka Meksi do bëjë fushatë për PD-në; por lajmi është i pavërtetë
Shekulli i sotëm kish një lajm (në faqen 5) me titull Meksi, fushatë për PD-në në Tiranë. Meksi? Meksi Aleksandër? Ish kryeministri i Shqipërisë në periudhën 1992-1997? Po, për këtë është fjala. Në shkrim thuhet se Meksit i kanë bërë dhe kërkesën që të kandidojë për PD-në (nga dëshira për të krijuar idenë se PD-ja është bashkë e tëra si në vitin e largët 1992), por ish kryeministri nuk ka pranuar kandidimin; lihet të kuptohet se i ledhatuar nga kjo vëmendje ka pranuar, megjithatë, të japë kontributin e vet në funksion të fitores së partisë së vet. Shkurt, ka pranuar të marrë pjesë në fushatë. Dhe nëse PD-ja fiton zgjedhjet, Meksi do të jetë një nga këshilltarët kryesorë të Berishës, thuhet në fund të këtij lajmi.
Është një lajm që mund të besohet? Pse jo? Edhe rikthimi i Selamit ishte i pabesueshëm. Edhe lëvizja e Shehit po ashtu. E megjithatë, ky lajm është i pavërtetë. Burime të sigurta të respublica-s na thonë se nuk ka pasur asnjë kontakt mes Meksit dhe PD-së, dhe se nuk ka pasur asnjë ofertë bashkëpunimi të PD-së për Meksin.