E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: S'ka konfuzion në opozitëkryeministri sipas Kushtetutës

Të tjera rreth shkrimit Debati për kolltukun, flasin të vegjlit e PD dhe PS TIRANE-   Kreu i LSI Ilir Meta doli sot në një konferencë për mediat për të sqaruar se në koalicionin e majtë nuk ekziston asnjë konfuzion se kush do të marrë postin e kryeministrit, një çështje që ka sjellë një debat të fortë këto ditë në politikën shqiptare.

"Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Se kush do jetë Kryeministri e zgjidh Kushtetuta, vota e shqiptarëve", tha Meta sot në mesditë nga selia  LSI-së, si përgjigje e dytë drejtuar deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili nga Gjirokastra (dy ditë më parë) u shpreh se "Meta ka ambicie për kryeministër, ose për kreun e PS-së"

Meta ka bërë publike përllogaritjet e tij se "opozita do të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe se do fitojë me diferencë gati 200 mijë vota" Sipas tij kjo "është plotësisht e mundshme dhe realizueshme".

BERISHA TA MARRË KARRIGEN ME VETE NË SHTËPI

I pyetur mbi deklaratën e kryeministri Sali Berisha se “Meta ka ambicie për kryeministër, por unë s’kam ndërmend ta lëshoj karrigen”, Meta u përgjigj : “Unë do propozoj kompromis tjetër për çështjen e karriges, se nuk ka çfarë bën, do respektojë vullnetin e sovranit: Karrigen e zyrës ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij siç bëri ishulli i tij, Les Valesa, i cili e mori me vete”. Duke buzëqeshur, Meta shtoi edhe që, “nëse Gjinushi do ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje ne si LSI do heqim shpenzimet për një karrige tjetër”.

SONDAZHET PËR LSI, JO TË VËRTETA

"Nuk ka sondazh që e kap LSI. Ju në 8 maj e nxorët 3%, por ne kapëm 23 mijë vota vetëm në TR. Ata që bëjnë sondazhe do kërkojn ë falje në 23 qershor dhe janë të falur se nuk mendoj se kanë qëllime të caktuara. Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI. Ju e shihin vetë, pasqyroni aktivitet tona, rininë që ka LSI nuk e gjen askund tjetër", theksoi Meta.

3 LIGJET, S’ËSHTË KOHA PËR KRITIKA

Meta u pyet sërish edhe mbi 3 ligjet dhe miratimin e mundshëm të tyre. "Nëse ligjet miratohen me 84 vota në shtator pa kontributin e tyre nuk do të ishte serioze, besoj në angazhimin e PD së për të ndihmuar integrimin. S’është koha për kritika dhe autokritika, shqiptarët kanë nevojë për mesazhe përgjegjshmërie nga klasa politike. Ne kemi një shprehje, që fundi mbahet mend dhe fundi i këtij parlamenti do të bënte diçka pozitive duke bërë një akt të tillë, shumë të mirëpritur nga partnerët tanë ndërkombëtarë", shpjegoi Meta.

DEKLARATA A NAÇOS DHE E BERISHES

Deklarata e njërit prej drejtuesve të LSI, Nasip Naço në Berat, 19 maj, se Ilir Meta pas 23 qershorit do të jetë kryeministër i vendit ka sjellë një debat të fortë në politikën shqiptare. Një ditë më pas, kryeministri Berisha, i pyetur nëse do të bënte një koalicion me Metën pas zgjedhjeve të 23 qershorit, nëse këtë do ta impononin numrat, ai këmbënguli duke thënë se synimi i kreu të LSI-së është të bëhet kryeministër, por këtë nuk e arrin dot.

 “Ambicia e tij është kreu i Partisë Socialiste por ajo nuk më intereson. Ambicia e tij është se si të rregullojë numrat për t’u bërë kryeministër, aty e ka të pamundur”, tha Berisha. Në reagimet e tyre krerët e dy partive të majta, Edi Rama e Ilir Meta e kanë cilësuar diversion të Berishës dhe një ëndërr të tij për të parë të majtën të përçarë, pasi për Kryeministrin vendos Kushtetuta.

Redaksia Online
(mag/s.g/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›