E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të arrihen standardet dhe të respektohen rregullat

28/07/2010 Reforma zgjedhore, shoqëria civile tryezë me përfaqësuesit politikë

Hartimi i reformës së re zgjedhore risjell debatet e radhës përballë opinionit publik. Tradita e deritanishme, ku zgjedhjet kontestohen nga humbësit, për më tepër duke krijuar dhe ngërç politik, ka bërë që jo vetëm përfaqësuesit politikë të apelojnë për hartimin e një reforme gjithëpërfshirëse, por dhe vetë shoqëria civile. Në funksion të këtij apeli u organizua dje një tryezë nën moton “Aksioni qytetar për reformën zgjedhore”, ku morën pjesë politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ndërkohë, të qenit pjesë e këtij aktiviteti i dha mundësi kreut të LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta, të ritheksonte dhe një herë tjetër qëndrimin e partisë së drejtuar prej tij, lidhur me një proces të tillë. “E rëndësishme është që të kemi një konsensus të plotë dhe të kemi një reformë të standardeve dhe mbi të gjitha, ai që humbet, të respektojë rregullat që i kemi vendosur të gjithë së bashku në mënyrë transparente”, vlerësoi kreu i LSi-së, Meta. Sipas tij, LSI-ja është e kënaqur me kodin aktual që është në fuqi, pasi administrimi është një çështje e zgjidhur për të. Por duke qëndruar në një moment të tillë, Meta sqaroi se “ne asnjëherë nuk kemi menduar dhe nuk kemi parë në një plan të ngushtë apo thjesht interesat e LSI-së për momentin. Ky është një moment ku situata duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare. Ndaj ne jemi të hapur për këtë opsion, ne jemi të hapur për administrimin politik me balancën përkatëse, për administrimin teknik, për gjithçka”. Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, gjatë fjalës së tij në këtë tryezë gjykoi si të rëndësishëm faktin se procesi i reformës zgjedhore duhet të shkojë paralelisht me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, esenciale për një reformë zgjedhore të mirëfilltë. “Duhet të marrim të gjitha masat që reforma zgjedhore që do të bëjmë të gjithë së bashku, të jetë vërtet gjithëpërfshirëse”, vuri në dukje kreu i PDS-së, Milo.

Kristaq Kume

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, organizator i aktivitetit nën moton “Aksioni qytetar për reformën zgjedhore”, i mëshoi faktit se duhet të nisë sa më parë puna për reformën zgjedhore. Sipas tij, shoqëria civile do ta mbështesë lëvizjen e forcave politike për reformën e re dhe se ky aksion qytetar është krijuar për të prodhuar rekomandime dhe informacione për komisionin e ardhshëm të reformës zgjedhore, që ajo të jetë një proces gjithëpërfshirës.

Enkelejd Alibeaj

Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në këtë proces. “Mekanizmi i administrimit zgjedhor që kemi është më i miri i mundshëm, por duhet krijuar besimi tek ky mekanizëm i administrimit ligjor, dhe ky besim mund të vijë duke mos ia lënë në dorë prurjen e ideologjive të reja në ligj forcave politike, por duhet që nismëtare për to të jetë shoqëria civile”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›