Meta: “Të dezintoksikohet klima politike, të marrë fund praktika e bllokimit”
Kreu i LSI-së Ilir Meta, gjatë takimit publik me anëtarë të Lëvizjes së Gruas në Fier, hedh poshtë spekulimet për krisje të koalicionit qeveritar, duke konfirmuar se mazhoranca është e qëndrueshme
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pati një takim dje në qytetin e Fierit me gratë anëtare dhe simpatizantë të Lëvizjes së Gruas për Integrim. Në fjalën e tij Meta deklaroi se Shqipëria ka nevojë për reforma në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe jo për sherre të palëve politike të cilat e ngadalësojnë këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin.
Sipas tij, nga palët duhet evituar fryma konfliktuale dhe të detoksikohet klima politike në përgjithësi në vendit tonë pasi vetëm në këtë mënyrë reformat integruese dhe plotësimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Europian do të mund të përshpejtohen duke afruar kështu anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke komentuar votimin e para 2 ditëve në Parlament për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se votime të tilla që kanë të bëjnë me zgjedhjet shumë të rëndësishme në sistemin e Drejtësisë dhe sidomos në gjyqësor duhet të lihen larg politizimit por t’i lënë vend kështu gjykimit të ftohtë dhe profesional. “Mesazhi ynë ka qenë dhe mbetet unison, zgjedhje të tilla nuk duhet të politizohen për sa kohë i përket pavarësisë së gjyqësorit, për të pasur një funksionim të mirë të drejtësisë. Për këtë arsye LSI nuk i kthen në sfida politike”, tha ai.
Sipas Metës, mazhoranca qeverisë është e qëndrueshme dhe komentet për të kundërtën janë pavend. “Mazhoranca është funksionale, ka mënyra sesi verifikohet për ata që pretendojnë të kundërtën, janë spekulime. Është koha që ti ikim sa më shpejt këtij konfliktualiteti që vjen nga vullneti i disa politikanëve për të ndezur konflikte. Është koha që të përqendrojmë energjitë tona në proceset primare, në integrimin e Bashkimit Europian”, tha Meta.
Gjithashtu kreu i LSI tha se shpreson që 2012-a, të mos jetë një vit i vështirë për vendin. “Unë uroj që të konsiderohet si një shkëndijë pa zjarr. Nuk ka patur arsye të qenësishme për të pasur një qëndrim të tillë. Besoj se duhet të respektohen procedurat demokratike e ligjore parlamentare që janë aplikuar për procedura të tilla”, theksoi ai.
Meta tha se duhet të marrë fund praktika e bllokimit të jetës parlamentare, por kjo s’do të thotë të mos ketë debate. “Ato janë të domosdoshme ndaj ka mazhorancë dhe opozitë në Parlament”, deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Lidhur me takimin me degën lokale të Lëvizjes së Grave për Integrim(LGI), kryetari i LSI-së, Ilir Meta i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe anëtarë të kryesisë, tha se, “në politikat e LSI, raportet dhe përfaqësimi i gjinisë femërore shikohet si prioritet”.
Meta tha se, “gratë janë një forcë e madhe, një potencial dhe vlerë e lartë që çon përpara zhvillimin e shoqërisë”. Sipas tij, LSI synon që të shtojë energjitë për zbatimin e programit ,që në thelb është një program që mëshiron harmoninë politiko-shoqërore e sociale. Meta u shpreh gjithashtu se se, “LSI duhet të jetë më kërkuese ndaj vetes dhe më krijuese, për të gjetur të gjitha rrugët për frenimin e efekteve negative në funksion të zhvillimit dhe përmirësimit të fenomeneve politiko-shoqërore”.