“PS s’ka asnjë argument juridik, do të dështojë nëse çon kërkesë në Kushtetuese”
Votimi i Elvic Çefës - flet deputeti PD-së Enkelejd Alibeaj
Socialistët paralajmëruan ankimimin në Kushtetuese, të procedurës së votimit për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa sipas demokratëve opozita do dështojë sepse nuk ka asnjë argument ligjor që mund të rrëzojë votimin e Cefës. Përveçse deklaratave politike, Partia Socialiste nuk ka asnjë argument juridik në dorë që të mund të ankimojë, e për më tepër të ketë sukses me dërgimin e votimit për anëtarin e ri të KLD-së për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Juristi dhe deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj e argumenton këtë qëndrim të tijin në tre drejtime kryesore, të cilat sipas tij nuk e legjitimojnë aspak një ankim të opozitës në Gjykatë Kushtetuese, për më tepër kur ajo nuk ishte pjesë e votimit.
Pretendim absurd dhe aspak logjik vlerësohet nga Alibeaj edhe ai i shprehur nga deputeti socialist, Armando Subashi, sipas të cilit, mazhoranca shkeli rregulloren kur nuk hodhi në votim edhe kandidatin Ardian Visha.
Akoma më pak kuptim merr ky qëndrim i Subashit kur në një matematikë të tijën thotë se vërtetë Çefa u zgjodh me 71 vota, por Visha mund të kishte marrë 72, ndërkohë që prezenca e deputetëve në sallë ishte 139.
Ligji parashikon qartë edhe përgjigjen ndaj arsyetimit të radhës të socialistëve se Elvis Çefa si anëtar i KLD-së është në konflikt interesi nëse mban dhe detyrën e kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave. Edhe në këtë rast ligji është në favor të Çefës. Elvis Çefa u zgjodh të enjten e 12 prillit anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai propozua nga mazhoranca pas largimit të Kreshnik Spahiut, i cili përmes një komisioni hetimor që e detyroi atë të dorëhiqej, konfirmoi shpërdorimin e detyrës, duke iu përkushtuar aktivitetit politik.
Subashi: Do e çojmë në Kushtetuese
Partia Socialiste po i sheh të tëra opsionet ligjore për anulimin e votimit të Elvis Cefës si anëtar KLD-je. Anëtari i komisionin të votimit për opozitën, Armando Subashi thotë se ka shkelje të Kushtetutës. “Jemi duke diskutuar, padyshim që ka rrugë dhe mjete ligjore për ta kundërshtuar votimin e djeshëm, gjithashtu edhe gjykata Kushtetuese është një opsion. Votimi është totalisht i kundërligjshëm sa herë që ka votim për dy ose më shumë emra, asnjëherë nuk mund të ketë votim të fshehtë me elektronik”, thotë Subashi.
Subashi thotë se edhe vetë KLD-ja ka detyrim ligjor të verifikojë mandatin e Elvis Çefës dhe votimin e tij në Kuvend. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të ligjit organik pra ligjit për KLD-në ka detyrim që në mbledhjen e parë, në momentin e parë që do të paraqitet Elvis Cefa si anëtar i atij këshilli, ka detyrim të kontrollojë midis të tjerash dhe ligjshmërinë e zgjedhjes së këtij anëtari”, shprehet Subashi. Sipas deputetit socialist, ka mospërputhje mes mandatit të Çefës si anëtar KLD-je dhe kreut te Agjencisë së Pronave. Subashi i kërkoi Presidentit të mos diktohet, siç ai tha, nga kërkesa e mazhorancës për ta emëruar Elvis Çefën zëvendëskryetar KLD-je, si i zgjedhur përkundër ligjit dhe Kushtetutës.