E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Të ndalojmë Berishën të behet mbret

Qytetarët e Beratit kanë treguar gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për të dalë në mbrojtje të Kushtetutës së dhunuar dhe demokracisë së rrezikuar nga bashkëpunimi mes Berishës dhe Ramës. Ata kanë mbështetur iniciativën e ndërmarrë nga Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Beratit. Në këtë takim ka marrë pjesë anëtari i Komitetit të Mbrojtjes së Kushtetutës, Andrea Stefani, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kreu i PDS-së, Paskal Milo, si dhe deputeti i PS-së, Luan Memushi. Por nuk kanë munguar edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë të qytetit të Beratit. Gjatë fjalës së tij, analisti Stefani pohoi faktin se ky dialog i ka kapërcyer kufijtë e vendit tonë duke marrë përmasat e një dialogimi mbarëkombëtar për mbrojtjen e Kushtetutës dhe organizimin e një referendumi mbarëpopullor në mbrojtje të saj. Stefani pohoi se Kushtetua e Shqipërisë u dhunua në thelbin e vet përmes disa amendimeve të befta në natën e 21 prillit, nga disa amendamente aspak transparente dhe aspak të nevojshme, të cilat në vend që të shërbenin për forcimin e demokracisë dhe të forconin garancitë dhe balancat për liritë institucionale në Shqipëri, i shërbejnë në fakt forcimit të autoritarizmit dhe bëhen garante për tendenca autoritariste tashmë të njohura të Berishës. Ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se, ajo që realizuan Berisha së bashku me Ramën është antidemokratike, antishtet dhe kundër integrimit të vendit tonë. Në këtë kuadër, Meta shtoi se, ky veprim do të ketë pasoja afatgjata jo vetëm për shtetin, i cili tani është i zhbalancuar, i paekuilibruar, por edhe për demokracinë, e cila është e rrezikuar nga mbifuqizimi i Berishës në kurriz të parlamentit dhe pavarësisë së gjyqësorit, duke e bërë Presidentin pjesë të mazhorancës së thjeshtë qeverisëse dhe ekzekutive dhe duke e zhveshur nga ato funksione që i jep Kushtetuta, si përfaqësues i vullnetit të popullit dhe garantues i drejtësisë dhe institucioneve të tjera. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, në fjalën e tij e ka cilësuar cenimin e Kushtetutës si çmimin më të madh që do të paguajnë shqiptarët, krahasuar me çmimet e tjera që janë duke u rritur në jetën e përditshme të tij. Milo pohoi se, nuk ka rrezik më të madh për shqiptarët sesa ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutë. Ai e ka cilësuar të pamoralshëm qëndrimin e kreut të PS-së, Edi Rama, dhe bashkëpunimin e tij me Berishën në kërcënimin e standardeve demokratike të vendit tonë. "Si është e mundur që të bëhet një bashkëpunim me atë njeri, i cili i ka dhunuar socialistët në luftën e tyre për mbrojtjen e Kushtetutës, jo vetëm në vitin 1994, por edhe në 1998? Pas dhjetë vjetësh në mbrojtje të Kushtetutës, ne sot shohim një kthesë 180 gradë të Ramës dhe njerëzve të tij". Deputeti i PS-së, Luan Memushi, i cili ka qenë prezent në këtë takim, tha se gjendej në aty pasi godina e madhe e shtetit që mbrohet nga Kushtetuta është e rrezikuar të shembet. "Ju dhe të gjithë ne me votën e ndërgjegjshme i thamë jo Berishës dhe mbrojtëm dhjetë vjet më parë këtë Kushtetutë që sot është rrezikuar nga një grup njerëzish të dehur nga etja për pushtet. Këta njerëz shitën shpirtin e tyre në natën e 21 prillit, shitën idealin e atyre njerëzve që i votuan, përmbysën atë që ju në vjeshtën e vitin 1998 në një ditë me shi dhe me stuhi e votuat si Kushtetutën më të përparuar të Ballkanit dhe të Evropës të certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë. Por, ajo nuk është më nga 21 prilli, nuk është më pasi Presidenti nuk do të zgjidhet më si do të zgjidhet nga vota e popullit. Ai do të zgjidhet me 71 vota. Do të emërohet nga Kryeministri i radhës. Ata që ëndërrojnë të bëhen mbretër të Shqipërisë pranuan të ndryshojnë këtë Kushtetutë", theksoi Memushi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›