E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, lobing me deputetët e PD për Gjykatën e Lartë

Riaktivizohet grupi i Presidentit Topi. Përplasja Presidencë-Kuvend për Gjykatën e Lartë ka zgjuar nga gjumi një pjesë të deputetëve të PD-së, të cilët do të takohen gjatë kësaj jave në Presidencë me kreun e shtetit.

Dera e Presidencës, gjatë kësaj jave do të jetë e hapur për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Lajmi është bërë publik nga një pjesë deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë konfirmuar faktin se gjatë kësaj jave do të zhvillojnë një takim kokë më kokë me Presidentin Topi. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit është duke bërë lobing për të marrë votat e duhura për dekretimin e pesë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. 71 votat, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës është duke i kërkuar mes radhëve të mazhorancës. Votat e demokristianëve, duket se do të jenë pro emërimit të gjyqtarëve, pas takimit kokë më kokë javën e kaluar në Presidencë me ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka. Deputetë të djathtë si, Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Sami Gjergji, por edhe deputetë të tjerë do të takojnë gjatë kësaj jave në selinë e Presidentit, kreun e shtetit. Ndonëse motivi kryesor i takimit fshihet pas maskës "takime miqësore", thelbi i tyre është debati i fundit i krijuar mes institucionit të Presidencës dhe atij të Parlamentit. Kryetarja e Kuvendit ka vonuar dekretimin e 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, çka ka sjellë edhe reagimin e Presidentit Topi. Duke e ftuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të punës mes Parlamentit dhe Presidencës, Topalli nuk heq dorë nga vendimi për të kërkuar informacione shtesë mbi aktivitetin dhe biografinë e emrave të propozuar nga Presidenti.

Veprimtaria e këtyre gjykatësve gjatë kohës së komunizmit është qëllimi që kryeparlamentarja ka kërkuar informacione shtesë për këta persona. ‘Pushteti‘, ka zbehur disi kontaktet e deputetëve demokratë me Kryeministrin Sali Berisha, ndërkohë që Presidenti ka zgjedhur një strategji më të mirë për të vepruar me deputetët që e kanë mbështetur dikur, duke u hapur atyre derën e Presidencës. Opozita ka akuzuar Kryetaren Topalli se po i vonon qëllimisht këto dekrete dhe kjo, sipas tyre, nuk është hera e parë që ndodh. Ata i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit që të mos i mbajë në tryezën e saj dekretet e Presidentit, por t‘ia kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve që më pas të kalojnë për votim në Kuvend. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë bëjnë të ditur se në 2005 u ka mbaruar mandati dy anëtarëve të kësaj gjykate, të cilët ende nuk janë zëvendësuar. Ndërsa në fillim të vitit 2008 i ka mbaruar mandati një tjetër anëtari të Gjykatës së Lartë, ndërsa më 21 maj u ka mbaruar mandati dy anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate dhe për pak ditë i mbaron mandati edhe kryetarit të saj. Aktualisht, Kuvendi është duke shkelur ligjin, duke mos votuar në Kuvend emërimet e reja për anëtarët e Gjykatës së Lartë, veprim i cili paralizon edhe punën e këtij institucioni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›